Neymar u dëmtua ndaj Caen dhe do të humbë ndeshjet e rëndësishme ndaj Barcelonës në Uefa Champions League. Ky është një rast i përsëritur i brazilianit, i cili ka humbur përballjet të këtij kompeticioni në vitin 2016 ku ishte i pezulluar, si dhe në 2017, 2018, 2019 në të cilat ishte lënduar. Teksa duket se Neymar është i pafat në periudhën shkurt-mars dhe lëndohet shumë nga stili i tij i lojës, mediat e huaja kanë dyshimet e tyre me këtë fenomen.
Në 11 mars, Neymar feston ditëlindjen e motrës së tij, një person mjaft i dashur për të. Duke qenë se obligimet në Europë dhe në Francë e mbajnë “të lidhur” në Paris, mediat botërore dyshojnë se 29 vjeçari ekzagjeron gjithçka në mënyrë që të niset drejt Brazilit për të festuar përvjetorin e ditëlindjes së motrës së tij. Megjithatë këto mbeten hipoteza, pasi e vetmja e vërtetë që dimë është fakti që ai është i lënduar dhe do të ndjekë seanca fizioterapie për muskulin e këmbës së djathtë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/