“Fitoni, ndryshe i ikën vlera triumfit me Vllazninë”! Këshilla e Mezanit, sheh tre ekipe për të “kërcënuar” shkodranët

Gentian Mezani sheh tre ekipe që mund të kërcënojnë Vllazninë në luftën për titull. I ftuar në emision “Pressing” që transmetohet në “ABC News”, trajneri shqiptar ka edhe një këshillë për Laçin që nuk duhet të gabojë ndaj Bylisit, pasi në të kundërt do të zhvlerësojë fitoren e arritur ndaj Vllaznisë.

“Për Vllazninë kam menduar se është ekipi më i fortë fizikisht, deri përpara dy ndeshjeve. Në këto takime ka çaluar disi, megjithatë duhet të them se është vetëm një moment “JO” për këtë skuadër, i ndodh kujtdo dhe është normale. Tani kanë fatin se do të luajnë me Apoloninë, skuadër e lehtë në letër. Janë të detyruar për ta fituar këtë ndeshje me patjetër, janë të detyruar për ta bërë. Në të kundërt do kenë shumë vështirësi më tej.

Kush e rrezikon Vllazninë? Partizani është në ritmin e duhur, Teuta nuk duhet të anashkalohet. Laçi ka treguar shpirtin e garës dhe lufta për titull do të shkojë deri te Kukësi, por këto janë tre ekipet që do ta kërcënojnë Vllazninë. Laçi është padyshim në formën më të mirë, por duhet të fitojë ndeshjen e kësaj jave me Bylisin, pasi në të kundërt i ikën vlera fitores me Vllazninë”, tha Mezani. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *