Milot Rashica ishte një temë e nxehtë diskutimi në merkaton e verës së shkuar. Futbollisti shqiptar shkëlqeu një sezon më parë me Verder Bremenin, duke bërë që skuadra të njohura të futbollit gjerman dhe atij europian të përfliteshin për një transferim të tijin. Një akord nuk u arrit dhe shkaku i vetëm ishte vlera e kartonit të lojtarit.
Verder Bremen kërkonte të mbushte arkat nga shitja e Rashicës, duke vendosur një shifër të lartë për shërbimet e tij. Por në sezonin e ri dëmtimet kanë përndjekur 24-vjeçarin dhe kjo ka kushtëzuar performancën e tij. Në këto kushte klubi gjerman e ka të vështirë të përfitojë të ardhurat e dëshiruara nga transferimi i sulmuesit të talentuar.
Vlera në treg e Rashicës është duke njohur vetëm ulje, teksa “Transfermarkt“ i ka caktuar ditën e djeshme shifrën 12 milionë euro kartonit të tij. Një shumë kjo që është 6 milionë më pak se vlera e mëparshme e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/