Ish-futbollisti i shquar i Kombëtares, Bledar Kola, ka nisur aventurën e re në karrierën e tij si trajner. Këtë herë duke shkuar në Rumani pasi është zyrtarizuar te Kraiova, atje ku do të jetë ndihmësi i Marinos Uzunidhis. Këta dy trajnerë janë si një trup i vetëm dhe që plotësojnë njëri-tjetrin pasi bashkëpunimi i tyre ka qenë te Panionosi, Panathinaikos dhe AEK-u i Athinës. Në të parin rast që Uzunidhis shkoi në Qipro për të marrë drejtimin e APOEL Nikosia, nuk do të vononte edhe ftesa për Bledar Kolën.
E njëjta panoramë paraqitet edhe në këtë aventurë të re atje ku Uzunidhis ka marrë drejtimin e Kraiovës në Rumani. Aktualisht ky ekip ndodhet në vendin e tretë të kampionatit dhe vetëm pesë pikë larg titullit kampion, atje ku është duke kryesuar Steaua e Bukureshtit. Mundësia që Bledar Kola të shpallet kampion në Rumani mbetet ende e hapur pasi janë për t’u zhvilluar edhe tetë ndeshje nga fundi i sezonit, ku mes tyre është edhe një ndeshje direkte me Steauan kryesuese. /Sport Ekspres/