Tomas Strakosha ka qenë i ftuar në “Transfer Update” në “Sky”, ku ka folur edhe rreth së ardhmes së tij. Portieri shqiptar ka humbur vendin e titullarit te Lacio dhe kambanat e largimit kanë nisur të bien prej kohësh. Duke parë se kontrata e tij skadon në vitin e ardhshëm, atëherë një largim në verë duket mëse i mundshëm të ndodhë. Gardiani kuqezi shprehet fillimisht se ndihet mirë te Lacio, por më pas nuk e hedh poshtë mundësinë për të veshur fanellën e Borusias së Dortmundit.
“Unë jam i lumtur te Lacio dhe u jam shumë mirënjohës atyre. Mendoj se ata janë gjithashtu shumë të lumtur me mua. Por qyteti është shtëpia ime e dytë, ndihem shumë rehat në Romë. Unë jam gjithmonë i hapur për detyra të reja.
Borusia Dortmund është një klub i madh. Ata kanë një ekip shumë të ri dhe të talentuar. Do të ishte interesante të luaja atje. Unë nuk do të gënjeja, kush nuk do të interesohej për një klub të tillë? Në përgjithësi, Bundesliga gjermane është një kampionat interesant me skuadra të mira”, ka thënë Tomas Strakosha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/