Vllaznia dhe Partizani/ E veçanta e kësaj Superiore, dy vendet e para që nuk përdorën…sirenat!

Superiorja e ka rihapur edhe njëherë garën për titull pas fitores që arriti Laçi kundër Vllaznisë në shifrat 1-2. Kurbinasit kapën “trenin e fundit” për të mos e mbyllur historinë e titullit kampion përpara kohe. Festa e kurbinasve i përkiste edhe shumë qyteteve të tjera të Shqipërisë, pasi të gjitha skuadrat prisnin ndalesën e Vllaznisë për të hapur llogaritë.

Asnjëherë më parë në këtë sezon nuk kishte ndodhur që shkodranët të qëndronin tre ndeshje radhazi pa marrë fitore. Megjithatë duhet thënë se kundërshtarët nuk kanë përfituar në maksimum, për të ulur e më tej diferencën.

Por le të shohim pak dy vendet e para aktuale të Superiores, Vllaznia dhe Partizani. Asnjë prej këtyre skuadrave nuk e ka shpallur si objektiv fitimin e titullit kampion në nisje të këtij sezoni. Sigurisht që historia dhe lavdia e këtyre ekipeve e kërkon suksesin në çdo moment, por në fillimin e sezonit nuk mund të kishte sirena për të alarmuar ekipet e tjera se do të ishin pretendent për të fituar titullin kampion.

Në Shkodër ishte mëse e kuptueshme pasi Vllaznia vinte pas sigurimit të mbijetesës në “Play-Out”. I gjithë rrugëtimi deri në këto javë të kampionatit është një mrekulli më vete që më herët nuk e besonte as tifozi më i çmendur i shkodranëve.

Nga krahu tjetër, në vendin e dytë është Partizani. Të kuqtë arritën që të fitonin në shifrat 1-2 ndaj Bylisit dhe Daja u shpreh: “Mos harroni, kemi bërë një super kampionat deri më tani dhe jemi forca e dytë. Nuk duhet ta humbim këtë vend”.

Kur Ilir Daja u prezantua si trajneri i Partizanit, Olsi Rama u shpreh se objektivi i vetëm i vendosur ishte kthimi i identitetit të lojës, për ta bërë ekipin “më të bukur” për tifozët. E duke parë gjithë “trazirën” e ndodhur me renditjen dhe gabimet e bëra nga ekipet që shpallën kandidaturën e tyre për të fituar titullin, Gaz Demi nuk është kursyer me transferimet në merkaton e janarit.

Fakti është se Partizani është ekipi që ka bërë më tepër goditje në këtë kohë të transferimeve, ku zakonisht është e vështirë që të gjesh elementet cilësorë. Përse mos të flitet për titullin kampion, që në vitin e parë të Ilir Dajës? Oreksi vjen gjithmonë duke ngrënë, por misioni i vërtetë i këtij trajneri është kthimi dhe vazhdimi i lojës së bukur të skuadrës pas sezonit të fundit që ishte tërësisht për t’u harruar.

Kjo është pika që nuk duhet harruar dhe trajneri i Partizanit e kthen shpeshherë në kujtesë, për të mos vendosur më tepër presion mbi shpatullat e lojtarëve për një detyrë që i vjen vetëm nga stema që mbajnë dhe nga dëshira e tifozëve, por jo nga objektivi i vendosur nga drejtuesit e klubit. E njëjta situatë paraqitet edhe për Vllazninë, ndërsa fakti është se flitet për dy vendet e para të Superiores. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *