Intervistat/ “Me Vllazninë e fituam, topi mbeti në vijë fatale”, Daja kritikon arbitrimin: Ta kursente kartonin e kuq

Në barazim 0-0 ka përfunduar supersfida e sotme e javës së 17 të Kategorisë Superiore. Në duelin mes Partizanit dhe Vllaznisë pritej një ndeshje e luftuar dhe plot emocione, duke ditur se përballë janë dy ekipet e kreut të tabelës. Grinta dhe rastet nuk munguan, por në fund goli nuk erdhi për asnjë nga të dy ekipet. Në përfundim të 90 minutave të lojës, vetë protagonistët kanë thënë fjalët e tyre për mikrofonin e “Supersport”.

Ilir Daja (Partizani): “Kemi qenë shumë agresiv sot. Edhe në fund, kur po festonim që topi po shkonte në rrjetë, koha na ndali. Ne nuk jemi agresivë në dyluftime. Arbitrat duhet ta menaxhojnë më mirë lojën. E kam fjalën për kartonët e kuq, ndoshta edhe të Vllaznisë mund ta kursente. Do doja ta shihja atë rast. Mund të shkonte deri te kartoni i verdhë. Ka edhe më të rënda se kjo… Kaluar nga një ndeshja spektakolare te barazime para 7 ndeshjesh. Një arbitër, duke ndihmuar spektaklin, mund të shkonte deri te kartonët e verdhë. Sot me Vllazninë e fituam, pasi topi ngeli te vija fatale. Në Shkodër morëm një gol me goditje standarde. Për ju janë statistika, kurse ne themi t’i analizojmë. Jemi në vend të dytë dhe kemi bërë më mirë se rivalët që ju thanë. Po t’i kishim mundur do të ishim me pikë aty-aty me Vllazninë.

Solomon? Nuk e kishim përgatitur me të në formacion ndeshjen me Vllazninë. Kishim rënë dakord që ai do të niste një tjetër aventurë. E kishim menduar me Çinarin titullar që në fillim. Solomon na erdhi në hotel dhe na takoi të gjithë, si profesionist. E falënderoj për kontributin që ka dhënë dhe i uroj të ketë suksese aty ku të shkojë.

Ne rivalët e shkodranëve? Vllaznia e mbajtëm në gjysmëfushën e vet. Distancën me të tjerat e ka me meritë. Ka edhe dy faza të tjera dhe një ndeshje tjetër. Shpresoj të bëjmë kampionatin tonë dhe të marrim fitore, pastaj të shohim se çfarë bën Vllaznia. Jemi forcë e dytë e kampionatit në këtë moment dhe e kemi mbajtur nga fillimi”.

Tomas Brdariç (Vllaznia): “Jemi në gjysmë të rrugës. Jemi përkushtuar shumë për të ardhur deri këtu. Madje e kemi merituar edhe fatin në disa ndeshje. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhi në 2 apo 3 muaj. Ishte shumë e vështirë të luaje në këtë fushë.

Dilaver nuk shënon prej një faze? Ne luajmë të gjithë. Ka rëndësi skuadra dhe jo individi. Nuk ka rëndësi kush shënon. Për të do të ishte mirë nëse do të shënonte shpejt që të rrisë besimin. Të dy e vuajtëm kartonin e kuq. Skuadrat nuk ishin të kënaqura të luanin me 10 lojtarë. Partizani është mësuar të luajë me 10 lojtarë, e bëri edhe ndaj Tiranës. Ne duhet të mësojmë.”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *