Taulant Seferi ka gjetur golin e parë në Superiore duke i dhënë tre pikët Tiranës. Bardheblutë po kalojnë një moment të vështirë sa i përket rezultateve dhe kritikave të shumta që kanë ardhur me ndodhitë e fundit, për mënyrën sesi u largua trajneri Nevil Dede.
Megjithatë kryeqytetasit bënë gjithçka për të mposhtur Apoloninë nën debutimin e Orges Shehit. Në pjesën e parë nuk ishte fati me vete pasi në disa raste reagimi i portierit kundërshtar, mungesa e konkretizimit me Najdovskin që do të gabonte i vetëm përballë portës apo edhe shtylla e Idi Bathës në minutën e 10, do të bënin që pjesa e parë të mbyllej pa gola.
Menjëherë në pjesën e dytë Tirana është futur me po të njëjtin vrull për ta fituar takimin, duke sjellë imazhin e një ndeshje që po zhvillohej me një portë. E në momentin kur Apolonia nisi që të përfitonte nga lodhja e kundërshtarit, madje duke kërkuar edhe një penallti për një prekje me dorë të Najdovskit në minutën e 76, Tirana do ta ndëshkonte.
Ernest Muçi shpalos të gjitha aftësitë e tij teksa me zotërimin e topit ka hyrë në zemër të mbrojtjes kundërshtare duke krijuar hapësirat për Taulant Seferin. Ky i fundit nuk ka gabuar përballë portierit të Apolonisë duke shënuar golin e parë në Superiore dhe që vlen 3 pikë. /Sport Ekspres/