“Si serialet e Netflix”, prestigjiozja spanjolle ngre lart figurën e Keidi Bares te Espanjoli

Keidi Bare po vlerësohet shumë për përformancat e zhvilluara te Espanjoli. Pas aventurës te Malaga atje ku mesfushori ishte titullari i paprekshëm dhe lojtari kyç i këtij ekipi, mbërriti edhe transferimi te Espanjoli. Dëmtimet i morën disi kohën që mesfushori shqiptar të mos kishte atë nisjen e ëndrrave, por tashmë Bare është kthyer për të mbretëruar në mesfushë. Së fundmi vlerësimi që e dërgon këtë lojtar në qiellin e shtatë vjen nga prestigjiozja spanjolle, “AS”.

Kjo e fundit e ka cilësuar futbollistin e Kombëtares si një serial i “Netflix”, ku pavarësisht kthesave të skenarit, zhvillimi është i pashmangshëm. Këto lëvdata nuk bëhen më kot pasi bazohen në fakte. Media spanjolle nxjerr statistikën sesi Bare pushtoi gjithë mesfushën në përballjen e Espanjolit kundër Castellon. Atje dallohej qartësisht se në pasimin teksa shërben shokët e skuadrës është vërtet i rrallë shansi i gabimit.

E këtu vijmë në përmirësimin e parë pasi përshembull kundër Logranes, Bare humbi 17 topa, për të vazhduar me tetë topa të humbur kundër Gironas dhe tre kundër Castellon. Më e rëndësishmja, ndëshkimi me kartonë! Të gjithë e njohim Keidin për agresivitetin e madh që ka në stilin e tij të lojës. Megjithatë te Espanjoli numëron vetëm dy kartonë në 11 ndeshjet e luajtura, ku 7 herë ka qenë si titullar. Pra pa humbur agresivitetin, por duke qenë më “i ftohtë” për ndërhyrjet e tij. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *