“Debutim makthi”/ Rrahmani “ngel në klasë” dhe është më i dobëti në fushë, e ndjek edhe Hysaj

Napoli ka marrë një fitore shumë të mundimshme ditën e sotme, duke mposhtur Udinezen me shifrat 2-1. Goli i fitores ka ardhur vetëm në minutat e fundit, ndërsa një peshë të madhe faji mban mbrojtësi shqiptar, Amir Rrahmani. Kjo ishte ndeshja e tij e parë si titullar pas disa muajsh te skuadra napoletane, por që në fund qëlloi një makth i vërtetë për kapitenin e Kosovës.

Një pasim i gabuar pas për te portieri rezultoi fatal, teksa Lasagna shënon golin e barazimit. Pesha e fajit rëndoi gjatë mbi supet e Rrahmanit, deri sa në fund Napoli arriti të gjente rrugën e rrjetës. Në vlerësimin e bërë pas përfundimit të takimit nga “Tuttomercatoweb“, mbrojtësi shqiptar “ngel në klasë“, duke u vlerësuar me notën 4, që përkon me më të ultën nga lojtarët e aktivizuar.

“Debutim si titullar për tu harruar. Goli për 1-1 i sillet në ndërgjegje me një pasim sensacional të gabuar mbrapa për Meret, që i jep Lasagna-s një gol. Një gabim që nuk mund të fshihet, i cili ndikon në të gjithë provimin. Në interval Gattuso e zëvendëson atë. Një debutim makthi”, është vlerësimi i medias së njohur italiane.

Ndërkohë nga pas e ndjek edhe Elseid Hysaj sa i përket notës së marrë për paraqitjen e bërë. Shkodrani është vlerësuar me 5.5, ndërsa shkak për këtë është bërë performanca e tij në pjesën e parë, kur luante jashtë rolit të tij natyral.

“Në krahun e majtë ai nuk është i qetë dhe kjo duket, aq sa në pjesën e parë ai humbet shumë topa. Më mirë në pjesën e dytë, kur ai zhvendoset në rolin e tij natyral si mbrojtës i djathtë”, shkruan “Tuttomercatoweb”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *