Një histori tërësisht e rrallë është ajo që vjen nga përballja për Kupë mes Aston Vilës dhe Liverpulit, teksa rezultati përfundoi në shifrat 1-4. Por kjo nuk mund të quhet një hakmarrje e ekipit të Klopit për humbjen në shifrat 7-2 që i shkaktoi Aston Villa. Kjo pasi këtë herë kundërshtari nuk luante me ekipin e parë, që ishte i infektuar nga pandemia e Koronavirusit. Aston Villa nuk do ta braktiste ndeshjen për t’i dhënë fitoren në tavolinë Liverpulit, por i dërgoi produktin e akademisë.
Futbollistët e ardhur nga U-23 dhe U18 ishin dinjitoz me ekipin e Klop, ndërsa ky i fundit nuk kurseu asgjë në këtë situatë dhe aktivizoi më të mirët. Jemi duke folur për një nga ato raste të rralla ku rezultati nuk përbën aspak rëndësi, teksa humbja e marrë zhvlerësohet duke parë mënyrën sesi të rinjtë luftonin për të djersitur fanellën e Aston Vilës dhe pa u trembur nga “gjigantët” që gjithmonë ishin mësuar ti shihnin në televizor çdo fundjavë.
Fotografia e bërë në përfundimin e ndeshjes dëshmon më së miri një histori që nuk do të përsëritet më. Lojtarët që luajtën kundër Liverpulit dukeshin sikur po ktheheshin në shtëpi pas një ekskursioni me shkollën e tyre. Fytyra fëmijnore është ajo që pikaset në pamjen e parë, me picat që mbajnë në duar për t’i konsumuar pas ndeshjes dhe fugonin që pret për t’i dërguar në shtëpi. E kush do ta imagjinonte? Një kohë e gjatë duke u përgatitur dhe projektuar ëndrra për të ardhmen e largët, ndërsa papritur i gjithë grupi në akademi duhet të luftonte në të njëjtën fushë me yje të nivelit Thiago Alcantara dhe Salah. Në duart e tyre talentet e Aston Vilës mbanin edhe fanellat e marra nga lojtarët e Liverpulit, për t’i varur në mur dhe duke pasur kështu kujtimin më të bukur. /Sport Ekspres/