Hapësira e lënë bosh te Shkëndija nga ana e Valon Ahmedit duhet të plotësohet me një tjetër emër që ka cilësi për të përforcuar sulmin e ekipit shqiptar të Tetovës. Për këtë arsye drejtuesit janë gati për të bërë një tjetër goditje të bujshme në merkato. Ahmedi mund ta vazhdojë karrierën e tij te Soligorsk, ekipi që është pjesë e kampionatit në Bjellorusi. Ndërkohë te Shkëndija kanë nisur negociatat me Young Boys për të marrë Taulant Seferin.
Ky është raportimi i ardhur nga “Infosport”, teksa marrëveshja mund të arrihet për një huazim të mundshëm të futbollistit të Kombëtares. Seferi nuk po gjen hapësira te Young Boys që ka zgjedhur gjithmonë ta lërë në huazim lojtarin në ekipe të ndryshme zvicerane. Ky mbetet edhe problemi më i madh pasi ekipi i madh zviceran kërkon që ta përgatis Seferin për ekipin e parë duke e lënë në huazim vetëm në ekipet zvicerane, ndërsa rikthimi në vendin ku u formua si futbollist do të jetë i vështirë. /Sport Ekspres/