Intervistat/ “Njerëzit paragjykojnë dhe nuk kisha ofertë nga Superiorja”, flet Mazrekaj që ndëshkoi Partizanin

Gjatë ditës së sotme janë dhuruar shumë gola dhe emocione në javën e 12 të Superiores. Kryendeshja ishte klasikja mes Tiranës dhe Vllaznisë që u nda në shifrat 1-1. Bardheblutë kaluan të parët në avantazh me anë të Muçit që shënoi në minutën e 13 duke kaluar edhe portierin e shkodranëve. Sulmet e shumta të Vllaznisë nuk kanë pasur finalizimin e duhur duke u evituar edhe nga ana e Bekajt.

Dalja me të kuq e Torrasës në minutën e 73 bëri që ekipi i Brdariç të rriste inkursionin sulmues dhe Imeri barazoi me kokë. Një barazim që ka shijen e fitores pasi jo vetëm që Vllaznia del e pamposhtur, por nga ana tjetër Partizani i vendit të dytë ka humbur në shifrat 3-2. Golin e Carës dhe Hysenit e zhvlerëson Harmon dhe dopieta e Mazrekajt. Një “ish” që ka gjunjëzuar të kuqtë me dy goditje fantastike nga distanca.

Ndërkohë çmenduria e vërtetë ndodhi në Korçë. Teksa shifrat ishin 3-1, Bylisi arriti që në minutën e 57 dhe të 58 të realizonte dy gola për të barazuar gjithçka. Vetëm një minutë më vonë Pusi do të kishte mundësinë që të kthente sërish avantazhin te vendasit, por ka gabuar. Gjithsesi tre pikët me shumë vlerë i ka dhuruar Berisha në minutën e 76. Dramë kishte edhe në fitoren e Apolonisë ndaj Kastriotit teksa heroi Gjata realizoi dopietë dhe goli në minutat e fundit i dha tre pikët e arta vendasve. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Mazrekaj (Laçi): “Ndjesia e golave? Nuk di sesi ta përshkruaj, kështu është futbolli. Kam kaluar shumë mirë te Partizani, por duhet të jap më të mirën te Laçi. Nuk kam pasur më herët ndonjë ofertë nga Superiorja, njerëzit paragjykojnë. Tani që erdhi oferta dhe unë mbërrita te Laçi. E kam thënë që më parë që Laçi është më mirë se ekipet e tjera se ka alternativa. Ja shikojeni vetë, mungon Naubueze dhe ne po ecim mirë. Në ekipet e tjera po të dëmtohet lojtari kryesor, nuk ka rezultate”.

Ahmataj (Skënderbeu): “Jemi vërtet të brishtë pasi duhet të theksojmë se nuk kemi lojtarë që kanë të paktën një vit të mirë në Superiore, përveç Meksit. Isha i ndërgjegjshëm që në momentin e parë kur e kam marrë Skënderbeun. Tani duhet të bëjmë ndërhyrje në merkato dhe duhet të kemi lojtarë që nuk e kanë mendjen për të lëvizur, por që duan të qëndrojnë te Skënderbeu.

Dede (Tirana): “Kemi shënuar golin e parë, kishim rastet tona për të shënuar edhe golin e dytë. Megjithatë kemi rënë në presionin e kundërshtarit për meritën e Vllaznisë. Këtu ndikon edhe ngarkesa fizike e lojtarëve që ka luajtur shumë ndeshje në pak ditë. Dua t’i jap një “Bravo” të madhe skuadrës për shpirtin e garës që ka treguar në gjithë këto ndeshje. Tani presim dhurata nga 2021 dhe mund të merrnim më shumë nëse Torasa nuk do të ndëshkohej me të kuq, që sipas jush nuk paska gabuar”.

Duro (Laçi): “Në këto tre vite kundër Partizanit kam bilanc pozitiv. Mazrekaj? Nuk ka surprizë, e kam sjellë unë këtu dhe i kam thënë presidentit të Laçit që të marri në skuadër. Në kondicionin fizik Mazrekaj është më mirë sesa përpara 5 vitesh. Mazrekaj ka bërë gjithmonë diferencën dhe i ka vendosur qëllim vetes. Sot e provova si sulmues të dytë dhe isha i bindur që do të bënte lojën e tij. Ma shpërbleu mua, vetes së tij dhe i tregoj opinionit se kush është.

Ndreu (Kastrioti): “Ne kishim shumë mungesa sot, por ishim të përgatitur për fitore. Jam shumë i mërzitur pasi donim që ta mbyllnim me fitore këtë vit. I kam thënë lojtarëve që do të luanin se ky ishte momenti i tyre i vetëm që të tregonin se e meritonin për të qenë pjesë e ekipit. Harrojnë këta futbollistë se nuk është miqësore dhe nuk duhet të shëtisësh. Golat i morëm të dy aty ku e prisnim, në pikën më të dobët, në qendër. E dija që do të ishte e vështirë pasi luanim ndaj një rivali që nuk ka se çfarë të humbi. Ne harrojmë se jemi punëtor dhe jo gjeneral, që të mos vlerësojmë kundërshtarët tanë”.

Bradric (Vllaznia): “Ne jemi të përqendruar te loja e përgjitshme e cila ka qenë e mirë për Vllazninë kundër Tiranës. Diferenca ndaj vendit të dytë? Sigurisht që ato 7 pikë nuk janë pak për ne në avantazh, por vetëm kaq, duhet të jemi të kënaqur me veten tonë. Humbja e rasteve? Në futbollin profesionist ndodh një gjë e tillë, tani duhet që të ecim përpara. I referohem vetëm lojës që ka qenë vërtet shumë e mirë.”

Daja (Partizani): “Kur jemi duke luajtur në të njëjtin orar nuk e kemi mendjen te Vllaznia apo ndonjë ekip tjetër, shohim vetëm lojën tonë. Në pjesën e parë kishim dëshirë që të bënim më shumë, por në pjesën e dytë po ta shikonit edhe nga stoli kishim vështirësi në pamjen vizive pasi ishte thuajse gjysmë errësirë. Jo për ta justifikuar, por e tillë ishte gjendja. Ajo që mungoi në pjesën e dytë ishte dëshira dhe sakrifica për ta marrë rezultatin. Më shumë pritëm kundërshtarin dhe i kemi falur topa të rrezikshëm. Terreni ishte i mirë, pavarësisht shirave, pasi Laçi po qarkullonte topin dhe nuk mund ta ngremë si alibi. Kemi gabuar në ndërtimin e aksioneve dhe pasimeve të thjeshta”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *