Intervistat/ “Jo të shëtisin dhe ta shohin miqësore”, Ndreu kritikë për lojtarët e tij: Jemi punëtor, jo gjeneralë

Gjatë ditës së sotme janë dhuruar shumë gola dhe emocione në javën e 12 të Superiores. Kryendeshja ishte klasikja mes Tiranës dhe Vllaznisë që u nda në shifrat 1-1. Bardheblutë kaluan të parët në avantazh me anë të Muçit që shënoi në minutën e 13 duke kaluar edhe portierin e shkodranëve. Sulmet e shumta të Vllaznisë nuk kanë pasur finalizimin e duhur duke u evituar edhe nga ana e Bekajt.

Dalja me të kuq e Torrasës në minutën e 73 bëri që ekipi i Brdariç të rriste inkursionin sulmues dhe Imeri barazoi me kokë. Një barazim që ka shijen e fitores pasi jo vetëm që Vllaznia del e pamposhtur, por nga ana tjetër Partizani i vendit të dytë ka humbur në shifrat 3-2. Golin e Carës dhe Hysenit e zhvlerëson Harmon dhe dopieta e Mazrekajt. Një “ish” që ka gjunjëzuar të kuqtë me dy goditje fantastike nga distanca.

Ndërkohë çmenduria e vërtetë ndodhi në Korçë. Teksa shifrat ishin 3-1, Bylisi arriti që në minutën e 57 dhe të 58 të realizonte dy gola për të barazuar gjithçka. Vetëm një minutë më vonë Pusi do të kishte mundësinë që të kthente sërish avantazhin te vendasit, por ka gabuar. Gjithsesi tre pikët me shumë vlerë i ka dhuruar Berisha në minutën e 76. Dramë kishte edhe në fitoren e Apolonisë ndaj Kastriotit teksa heroi Gjata realizoi dopietë dhe goli në minutat e fundit i dha tre pikët e arta vendasve. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Ndreu (Kastrioti): “Ne kishim shumë mungesa sot, por ishim të përgatitur për fitore. Jam shumë i mërzitur pasi donim që ta mbyllnim me fitore këtë vit. I kam thënë lojtarëve që do të luanin se ky ishte momenti i tyre i vetëm që të tregonin se e meritonin për të qenë pjesë e ekipit. Harrojnë këta futbollistë se nuk është miqësore dhe nuk duhet të shëtisësh. Golat i morëm të dy aty ku e prisnim, në pikën më të dobët, në qendër. E dija që do të ishte e vështirë pasi luanim ndaj një rivali që nuk ka se çfarë të humbi. Ne harrojmë se jemi punëtor dhe jo gjeneral, që të mos vlerësojmë kundërshtarët tanë”.

Bradric (Vllaznia): “Ne jemi të përqendruar te loja e përgjitshme e cila ka qenë e mirë për Vllazninë kundër Tiranës. Diferenca ndaj vendit të dytë? Sigurisht që ato 7 pikë nuk janë pak për ne në avantazh, por vetëm kaq, duhet të jemi të kënaqur me veten tonë. Humbja e rasteve? Në futbollin profesionist ndodh një gjë e tillë, tani duhet që të ecim përpara. I referohem vetëm lojës që ka qenë vërtet shumë e mirë.”

Daja (Partizani): “Kur jemi duke luajtur në të njëjtin orar nuk e kemi mendjen te Vllaznia apo ndonjë ekip tjetër, shohim vetëm lojën tonë. Në pjesën e parë kishim dëshirë që të bënim më shumë, por në pjesën e dytë po ta shikonit edhe nga stoli kishim vështirësi në pamjen vizive pasi ishte thuajse gjysmë errësirë. Jo për ta justifikuar, por e tillë ishte gjendja. Ajo që mungoi në pjesën e dytë ishte dëshira dhe sakrifica për ta marrë rezultatin. Më shumë pritëm kundërshtarin dhe i kemi falur topa të rrezikshëm. Terreni ishte i mirë, pavarësisht shirave, pasi Laçi po qarkullonte topin dhe nuk mund ta ngremë si alibi. Kemi gabuar në ndërtimin e aksioneve dhe pasimeve të thjeshta”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *