Një lajm i papritur vjen nga kampi i Dinamos. Blutë e kryeqytetit po përjetojnë një sezon fantastik, duke ecur me hapa të sigurt drejt rikthimit në vendin ku i takon, më Kategorinë Superiore. Dinamovitët u shpallën kampionë dimri, por pas këtij suksesi vjen befasia e madhe.
Trajneri Kamarata ka vendosur të japë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës. Një vendim ky që vjen i papritur kur merr në konsideratë ecurinë tejet pozitive të Dinamos. Tekniku italian njofton përmes rrjeteve sociale ndarjen me klubin, për të cilin shprehet se do të mbetet përherë në zemrën e tij.
“Ndonjëherë gjëra të papritura ndodhin në futboll, siç është marrja e vendimeve të caktuara si heqja e mandatit tim si menaxher i Dinamo Tiranës.
Doja të falënderoja të gjithë klubin e Dinamo Tirana, veçanërisht presidentin Pontrelli, i cili më dha mundësinë të trajnoj një klub kaq të rëndësishëm dhe që besuan te mua. Falënderoj gjithashtu drejtorin Ermal Barushi për të gjithë punën e bërë, të gjithë lojtarët që kam stërvitur sepse ishin profesionistë të shkëlqyeshëm dhe i uroj më të mirën për karrierën e tyre dhe së fundmi tifozët fantastikë të Dinamos që gjithmonë na kanë mbështetur dhe meritojnë etapa të tjera.
Këta 13 muaj kanë qenë të rëndësishëm për mua sepse fillimisht morëm shpëtimin dhe tani titullin e kampionëve të dimrit dhe çerekfinalet e kupës.
Dinamo do të jetë gjithmonë një skuadër që unë do ta mbaj në zemrën time dhe do të jem gjithmonë një tifoz i madh i juaj duke shpresuar që t’ju shoh së shpejti në Kategorinë Superiore. Faleminderit për gjithçka”, njofton Kamarata./Halit Delibashi-Sport Ekspres/