Intervista/ “Lojtarët tanë argëtohen në fushë”, trajneri i Vllaznisë: Nuk lamë asnjë shans…

Në Shkodër ka ende dyshime pas përfundimit të ndeshjes mes Vllaznisë dhe Skënderbeut: “Kush është gjermani I vërtetë, Bradriç apo Hoxhaj?”. Me siguri që ky i fundit, teksa lojtari i Vllaznisë ka arritur që të shënojë 4 gola kundër Skënderbeut.

Pa asnjë mëshirë të vetme duke e kthyer këtë fitore në tenistike për vendasit. Spektaklin e takimit e hapi Imeri në sekondën e 37 të takimit, duke paralajmëruar kundërshtarët për “makthin” që i priste. E gjithë skena iu la Hoxhajt, me Vllazninë që arriti të përfitonte në të gjitha gabimet e mbrojtjes së Skënderbeut, që deri diku ishin edhe “foshnjarake”.

Në krahun tjetër Kastrioti bëri surprizën teksa mundi Laçin në shifrat 1-0. Goli i Prodanit ka mjaftuar për t’i dhënë tre pikëshin krutanëve, në një takim që kishte shumë polemika. Arbitri do të jepte një penallti të dyshimtë për Laçin në minutën e 27 dhe pas shpërdorimit të Xhixhës, menjëherë lojtarët e Kastriotit shkuan për t’i treguar Koçit se ka një drejtësi më të mirë, ajo hyjnore. Xhixha do të shpërdoronte edhe në pjesën e dytë, për të lënë në fuqi heroin Prodani. Ndërkohë përballja mes Bylisit dhe Apolonisë ka përfunduar në 3-1 falë dopietës së Bejit, golit të Hadroj dhe autogolit të Ymeraliaj. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve dhe protagonistëve të takimit për “Supersport”:

Ahmataj (Skënderbeu): “Kur pëson gol në sekondën e 37, nuk e përballon dot vazhdimin e ndeshjes. Ndikon në psikologji dhe për më tepër është e trishtë mënyra sesi e pëson golin. Të prishen të gjitha planet. Shpresa jonë është që mbaron shpejt kampionati, edhe një ndeshja ka, që të ndërhyjmë në merkato. Ne e dimë sesa rëndësi kanë pikët dhe duam që të dalim nga kjo zonë ku jemi. Kur pëson nga këto gola, nuk bëhet fjalë fare për taktikë dhe vendosje”.

Ndreu (Kastrioti): “Jam i kënaqur me pikët e marra. Laçi prodhoi një lojë shumë të mirë dhe na vuri në tension gjithmonë pasi ka cilësi dhe mund të ndëshkojë në çdo moment. Pikët që kemi marrë janë me meritë, nuk na i ka dhuruar asnjë. Kemi dhuruar pikë si ndaj Partizanit. Por jemi mirë, luftojmë dhe kemi disiplinën taktike. Ne jemi në rrugën e duhur dhe kjo vendosje në klasifikim na jep garancinë për të qenë në mesin e renditjes. Jam gjithmonë i rezervuar për objektivat pasi ka shumë ekipe që kërkojnë titullin dhe Europën. Nëse do të gjendemi në mesin e renditjes, do të jetë shumë mirë. Fati ynë ishte shtyrja e kampionatit që u sistemuam pasi në ndeshjet miqësore nuk ishim askund në rezultat dhe lojë”.

Brdariç (Vllaznia): “E nisëm mirë që në sekondën e parë dhe nuk lamë asnjë shans për të humbur. Ne nuk kemi vetëm një lojtar, kemi gjithë ekipin që luan për këtë skuadër. Lojtarët tanë argëtohen në fushë dhe kanë dëshirë që të jenë një grup i vetëm. Kjo është shumë pozitive për ekipin. Nuk kërkojmë ndonjë gjë të veçantë në merkato, por do të largohen 2-3 lojtarë. Nuk janë të rëndësishme vetëm pikët, por edhe sistemi i lojës. Sistemi që ne përdorim është i nivelit europian dhe lojtarët angazhohen që të gjithë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *