Afrimi i një lojtari si Agim Ibrahimi ishte një luks jo vetëm për Kukësin, por edhe për futbollin shqiptar. Shumë vite eksperiencë mbi shpatulla dhe në shkolla të ndryshme të futbollit, ndërsa aftësitë e tij po i tregon në elitën e Superiores.
Një kërkesë që do të vinte nga ana e drejtorit Nderim Nexhipi: “Agim, mos e mbyll karrierën pa e provuar njëherë aventurën në Shqipëri”. Kështu edhe do të vepronte Ibrahimi që mbërriti në vendin tonë duke veshur fanellën e verilindorëve.
I shumëkërkuar nga ekipet pretendente për të dalë te titulli kampion prej vitesh, ndërsa tanimë Ibrahimi është bindur se niveli i Superiores është shumë më i mirë se ajo që parashikonte më herët. Ibrahimi ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe i moderuar nga Drilon Xhepollari, atje ku ka prekur shumë tema, për të diskutuar edhe ndeshjen e radhës me Partizanin.
“Takimi me Tiranën? Ishte një ndeshje shumë e fortë, e dinim që Tirana ka një ekip cilësor. Detyrat e trajnerit i kemi zbatuar në fushë, por fati nuk deshi që të merrnim tre pikët. Gjithsesi ne jemi në rrugën e duhur dhe duhet t’i marrim të gjitha ndeshjet me seriozitet, që të arrijmë objektivat që kemi. Ndeshja me Partizanin? Kemi mësuar shumë prej asaj ndeshje, kemi shumë respekt për Partizanin, por kemi motivin dhe qëllimin për të marrë tre pikët.
Nëse zbatojmë detyrat e Gegës, tre pikëshi do të jetë i yni. Unë jam i habitur me Superioren pasi kampionati shqiptar është shumë i fortë dhe luaj me shumë kënaqësi edhe në stërvitje. Kampionati shqiptar ka të njëjtën ritëm me atë në Slloveni, edhe mediat e bëjnë shumë të bukur. Këtu janë pesë ekipe shumë të forta që synojnë të dalin kampion. Unë jetoj në kryeqytet me gruan time dhe është shumë bukur.
Nderim Nexhipi më kishte thënë që nuk duhet ta mbyll karrierën pa luajtur njëherë në futbollin shqiptar. Jam këtu dhe shumë i lumtur. Gjici? Kam fjalët më të mira për të, gjithmonë kur na ka shoqëruar në takime na ka mbështetur, në ato takime të para që nuk kemi marrë rezultatet e duhura. Na ka thënë që nuk duhet ta ulim kokën poshtë pasi ne jemi Kukësi”, ka thënë Ibrahimi. /Sport Ekspres/