Përballja mes Kukësit dhe Tiranës është ndezur përpara kohe. Ndeshja e cila do të zhvillohet në ditën e nesërme mes dy ekipeve që pretendojnë titullin kampion ka marrë jehonë më të madhe që pas fjalëve të Nevil Dedes në konferencën për shtyp. I bindur se fusha do të tregojë cilësitë më të mira që i ka Tirana karshi Kukësit, madje edhe me futbollistë që janë 19-vjeçarë, ka nxitur reagimin nga krahu tjetër.
Nderim Nexhipi ishte i ftuar në “Sport Time” atje ku është shprehur se këto fjalë vetëm sa rrisnin motivimin për lojtarët e Kukësit, ndërsa për duelin duhet të bazohemi në sezonin e shkuar atje ku verilindorët triumfuan ndaj bardhebluve nëse marrim për bazë vetëm ndeshjet direkte.
“Do e shohim nesër. Nuk kam se çfarë të them më shumë se ne po rritemi tani. Kjo deklaratë e Nevilit është e tij dhe nuk më intereson fare. Lojtarët e lexojnë vetë dhe tani janë më të motivuar pasi ta dëgjojnë. Në sezonin e kaluar, shihni pak rezultatet sesi kanë qenë mes Tiranës dhe Kukësit”, u shpreh Nexhipi. /Sport Ekspres/