Zllatan Ibrahimoviç mbetet po i njëjti edhe kur vjen puna te deklaratat që jep. Në një intervistë me faqen e UEFA-s, suedezi ka folur gjerë e gjatë, ku ka prekur edhe futbollistë të tjerë të njohur, si Bufon apo Mesi. Lojtari 39-vjeçar po thyen tabutë e futbollit, teksa po tregon se edhe në një moshë të madhe mund të jetë thelbësor në fushën e lojës.
Në raport me portierin legjendar italian, Zllatan shprehet se Bufon mund të luajë edhe më gjatë se ai, pasi e vetmja gjë që i duhet të bëjë është thjesht të qendrojë në portë dhe të presë goditje. Ndërsa për Mesin nuk i lë mënjanë thumbat. I pyetur se cili do i godoste penalltitë nëse të dy do të ishin në të njëjtin ekip, Ibrahimoviç nuk lëshon aspak terren, duke thënë se 3 penalltitë e para do i godiste vetë, më pas do lejonte Mesin të gjuante njëherë.
“Kush do të luajë në të 50-at e tij: Zllatan apo Bufon? Bufon… Për të është e lehtë. Ai thjesht duhet të qëndrojë në vend dhe të bllokojë topa. Unë duhet të lëviz, duhet të krijoj, duhet të jem në gjendje të gjuaj, duhet të jem në gjendje të luftoj me mbrojtësit. Kështu që, ai ndoshta mund të shkojë më gjatë pa qëndruar në formë, por unë do t’i jepja vështirësi në lojë.
Në ekipin tuaj të ëndrrave, kush do të merrte penalltitë: Zllatan apo Lionel Mesi? Do t’i merrja unë penalltitë, 100%, sepse unë jam kapiteni i kësaj skuadre. Vendos se kush i merr penalltitë. Unë do të merrja tre të parët, pastaj do t’i lija një atij, pastaj do të merrja tre të tjerët, pastaj do t’ia lija tjetrën
Luani apo Ibra? Mund të zbusësh një luan, por nuk e zbut dot Zllatanin. Është një kafshë tjetër”, është shprehur Zllatan Ibrahimoviç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/