Vedat Muriqi po kalon një periudhë të vështirë te Lacio. Sulmuesi shqiptar erdhi me bujë të madhe te kryeqytetasit, por dëmtimet dhe Covid-19 kanë bërë që fomra e tij të jetë larg asaj që të dyja palët dëshironin. Pas 8 ndeshjeve me bardhekaltrit Muriqi ende nuk e ka provuar shijen e golit, duke qenë larg shkëlqimit që kishte në Turqi.
Diçka e tillë ka sjellë kritika në Itali për shtatlartin dardan, ndërsa nuk mungojnë as zërat për një largim të tij nga Lacio. Në mediat turke një emër i njohur për “piratin” shqiptar ka dalë në skenë. Është pikërisht rivali i përjetshëm i Fenerbahçes, Gallatasai, ai që kërkon shërbimet e Muriqit.
Klubi i njohur nga Stambolli ka qenë në garë për transferimin e sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës edhe në më parë, por lojtari shqiptar zgjodhi Fenerbahçen. Një lajm i tillë ka sjellë edhe reagimin e vetë menaxherit të Vedat Muriqit, Haluk Canatar, i cili mohon një mundësi të tillë dhe bën të qartë se pritshmëritë për shtatlartin janë të mëdha, por problemet me dëmtimet dhe pastaj Covid-19 kanë vonuar shpërthimin e tij në fushë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/