EUREKA! Kombëtarja e Shqipërisë bashkon “Puzzle-n”, talenti Mitaj 17-vjeçar “çmendet” te AEK-u (VIDEO)

Nga Klaudio Ndreca

EUREKA! Kombëtarja e Shqipërisë mund të cilësohet tanimë e kompletuar. “Puzzle-t” të Rejës i mungonte vetëm një pjesë që mund të thuhet se e ka marrë, për t’u quajtur e plotë. Në skemën e Rejës ka lojtarë me nivel të kënaqshëm dhe dublime në çdo pozicion, ndërsa edhe sulmi gjen emra premtues për të ardhmen si Broja, Vrioni dhe Tuci. Ndërkohë ajo që na ka munguar prej kohësh, që nga largimi i Ansi Agollit, është një mbrojtës në krahun e majtë. Trajneri i Shqipërisë ka zgjedhur që t’i besojë Lorenc Trashit këtë rol dhe duhet theksuar se ky lojtar e ka bërë detyrën më mirë se të tjerët.

Megjithatë ka një mangësi pasi në skemën e Rejës ky futbollist duhet të shpenzojë shumë energji, për të mbrojtur dhe njëkohësisht për të qenë krahu për sulmin. Këtu vjen edhe çalimi i Trashit teksa e ka përtej aftësive të tij që të futet në driblim ndaj kundërshtarëve, pavarësisht krosave të mira që futen në zonë. E në skenë del Mario Mitaj! Talenti 17-vjeçar ka shkruar histori te AEK brenda pak kohësh. Fillimisht duke qenë lojtari i huaj më i ri që luan në kampionat me këtë fanellë, e së fundmi kundër Leiçesterit si lojtari më i ri në historinë e AEK që luan në Europë.

Në ditën e sotme Mitaj nuk do të mbahet mend vetëm për këto statistika. Në përballjen që AEK është duke e fituar në shifrat 1-3 ndaj Syrymis, futbollisti shqiptar që së fundmi u grumbullua nga Shqipëria U-21 ka dhënë dy asist për 25 minuta. Goli i parë tregon të gjitha aftësitë e Mitaj që jep një pasim të kalibruar për shokun e skuadrës që nuk mund të gabonte përpara zonës.

Ndërkohë asisti i dytë i Mitaj do të konsiderohet më tepër nga statistika, pasi ishte një kryevepër që realizoi Ansarifard nga distanca. Por edhe në këtë moment shihet sesi Mitaj ka kurajon për të lënë krahun e tij dhe për t’u futur në pjesën qëndrore me zotërimin e topit. Pra një talent i madh që na vjen nga elita e Greqisë, me një ekip historik si AEK dhe me një dublim së bashku me Lorenc Trashin, mund të themi se edhe krahu i majtë është çështje e zgjidhur. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *