Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria i ka mësuar kundërshtarët sa i përket kualifikueseve të Botërorit atje ku do të përballemi kundër Anglisë, Polonisë dhe Hungarisë për të diskutuar dy vendet e para. Sigurisht që sa i përket vendit të parë nuk ka edhe shumë dyshime, pasi mbetet i rezervuar nga “tre luanët”. Lufta mbetet te vendi i dytë dhe në Poloni do të përjetohet si një skandal i vërtetë nëse nuk do të arrihet, madje edhe më tepër nëse do të mbetet jashtë Botërorit një tjetër Kombëtare me më shumë histori.
Vetë mënyra sesi është përcjellë shorti nga opinioni sportiv thuhet se vendi i dytë është tërësisht i sigurtë nga Polonia. Për më tepër, ish-lojtari i Polonisë, Koëalszyk do të shkonte më tej me sarkazmën: “Ky grup është aq i fortë aq sa edhe vjehrra ime me shoqet e saj do të ishin kualifikuar në Botërorin e Katarit. Unë e shoh Poloninë me 24 pikë dhe me pak fat, që të bëjë ndeshje të mira kundër Anglisë, mund të ketë më tepër. Sinqerisht, nuk më pëlqejnë këto grupe pasi do të dalim të dytët dhe do të harrojmë se rivalët tonë ishin shqiptarët dhe San Marino”, u shpreh Koëalszyk.
Nënvlerësimi për Shqipërinë vazhdoi edhe nga ana e mediave, por vetë trajneri i Polonisë, Jerzy Brzeczek, tregon se nuk duhet të merret shorti në këtë mënyrë. Në një intervistë të gjatë për mediat polake, mes të tjerash prek edhe temën e vendit të dytë: “Ne e dinim menjëherë pas shortit se na kanë rënë dy kundërshtarë të pakëndshëm si Hungaria dhe Shqipëria. Ndeshjet, më veçanërisht ndaj këtyre rivalëve, janë të vështira dhe të nxehta. Hungaria ka bërë progres të mahnitshëm në këto vite të fundit. Shqipëria? Shihni se në çfarë kampionate luajnë lojtarët e saj, shumë në Itali. Kjo Kombëtare ka bërë gjithashtu progres”, u shpreh trajneri i Polonisë. /Sport Ekspres/