“Kam qëlluar vetë me Andorrën, kemi lënë nam“, Lala analizon shortin: Me Anglinë s’kemi ç’të humbim, po të kishim një flamur…

Altin Lala ka dhënë një intervistë ditën e sotme me gazetarin Altin Sulçe për emisionin “Sport Magazine” në “Ora TV”. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka analizuar grupin në të cilin ndodhen kuqezinjtë për kualifikueset e Katar 2022. Lala thekson se shorti ka qenë i vështirë për ekipin tonë kombëtar, ndërsa këshillon që të mos nënvlerësohen Andorra dhe San Marino, që fare mirë mund të hapin probleme në këtë rrugëtim.

Sa i përket përballjes me Anglinë, ish-mesfushori i Hanoverit është i mendimit se skuadra e udhëhequr nga Edi Reja nuk ka çfarë të humbasë dhe mund të zhvillojë një lojë të mirë, pavarësisht në fushë do të kenë lojtarë mjaft cilësor. Lala vlerëson punën e bërë deri më tani nga trajneri italian, ndërsa në fund i mëshon faktit se një bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës do e bënte Kombëtaren më të fortë.

“Është një grup mjaft i fortë. Përveç grupit të Danimarkës që mendoj se është disi më “i lehtë”, të tëra grupet kanë nga dy skuadra që janë shumë më të forta. Mendoj që Anglia dhe Polonia janë dy favoritet. Hungaria është po ekip i fortë dhe ajo do të jetë baza ku ne duhet të matemi. Ta lëmë mbrapa do të ishte një sukses. Në kualifikime duhet të kesh edhe fat dhe të shfrytëzosh momentin. Është ndryshe nga Liga e kombeve ku skuadrat janë pak a shumë të barabarta. Këtu ke të bësh me 2-3 skuadra që janë më të forta. Andorra ka pasur vitet e fundit disa rezultate që i ka nxjerrë punë skuadrave të tjera, ka bërë supriza. Duhet patur edhe aty shumë kujdes. Për skuadrën tonë të re është diçka shumë e mirë të ndeshesh me Anglinë, që është një nga Kombëtaret më të forta të Botës. Do ishte mirë që këto ndeshje të zhvillohen pas pandemisë, do të ishte fantastike.

Andorra San Marino? Shumica e opinionit sportiv i kanë bërë llogaritë të marrim 12 pikë në këto 4 ndeshje. Natyrisht duhet t’i fitojmë, por është e vështirë. Unë kam qëlluar vetë që kemi luajtur me Andorrën dhe kemi lënë nam. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin.

Mendoj që me këtë Kombëtare që ka krijuar Edi Reja, aq më tepër që mbrojtjen e kemi shumë të stabilizuar, mund t’i hapim punë. Është natyrisht se Anglia ka vërtetë lojtarë shumë cilësor, por ngjasat janë aty. Ne s’kemi çfarë humbin. Shpesh herë në këto ndeshje ne kemi zhvilluar lojtra shumë të mira, vetëm se duhet të marrim rezultat. Nuk mjafton vetëm loja e mirë. Por presionin e ka gjithmonë Anglia.

Lala i ri në Kombëtare? Mua më pëlqen shumë Gjasula para mbrojtjes, bën një lojë fantastike. Edhe këtu në Gjermani më ka pëlqyer këto vitet e fundit. Më pëlqen mënyra se si luan ai para mbrojtjes, është shumë pozitiv. Pastaj ka lojtarë të tjerë si Abrashi, Bare, Laçi, Memushaj. Mesfusha ka pasur vitet e fundit lojtarë cilësor. Por në fund fare është grupi që e bën skuadrën. Ky duhet të jetë mentaliteti ynë, grupi dhe jo individi. Kombëtarja duhet të ketë gjithmonë prurje. Duhet të krijosh një grup me 15-16 lojtarë që t’i kesh stabël. Por trajneri ka shumë eksperiencë, s’kam çfarë të them unë. Është një nga trajnerët më të mirë në Itali dhe punën po e bën shumë mirë.

Nëse do të kishim një flamur dhe jo dy flamuj do ishim akoma më të fortë. Kjo i përket politikës që të bashkojë këto dy vende dhe të kemi një Kombëtare të fortë”, ka deklaruar Altin Lala./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *