Zakonisht thuhet se futbollistët nuk i mendojnë gjërat thellë dhe e gjitha bota e tyre rrotullohet te topi. Por rasti i Jurgen Bardhit në Shqipëri e hedh poshtë këtë teori pasi kemi bashkimin më të mirë të aftësisë për të luajtur futboll dhe njëkohësisht të diturisë së madhe. I ftuar në “Supersport”, shpeshherë Bardhit i paraqiteshin statistikat jo mbreslënëse te Partizani.
Përgjigja e marrë? Thjeshtë duke treguar faktin se vazhdon të konsiderohet si një “talent”, megjithëse tanimë është 23-vjeç dhe ka kaluar një periudhë të gjatë brenda klubit. Shumë prej afrimeve të bujshme që vijnë te Partizani dhe që në fund përfundojnë në dështim arrijnë që t’i marrin vendin lehtësisht, pasi Jurgeni është i ri dhe duhet për të ardhmen.
“Po më ikin vitet dëm”, është shprehja që përdor Bardhi, duke treguar edhe një të vërtetë tjetër ulëritëse që është panorama më e mirë për të treguar Shqipërinë. “Nuk po i japin më dorë të rinjëve. U ka ikur edhe ego tani kur shikojnë se është e pamundur që të depërtosh, kur të luan 15 vite i njëjti lojtar që nuk ia merr dot njeri vendin”. Një shprehje e vërtetë kjo që tregon jo vetëm Shqipërinë e futbollit, por në çdo aspekt të jetës tonë të përditshme.
“Kam bërë prova disa kohë më parë te Rajo Vajekano. Nuk kam vazhduar atje edhe për shkakun e moshës, isha i ri dhe nuk kisha eksperiencës e duhur. Megjithatë atje e shijojnë vërtet futbollin. Sa i përket Partizanit, ajo që unë iu siguroj është se me Dajën nuk luajmë asnjëherë në mbrojtje. Fryma që ka futur profesori është ajo shprehja: “Mbrojtja më e mirë është sulmi”. Tani po kënaqemi, po shijojmë futbollin. Dua të falënderoj profesor Dajën që më dha mundësinë për të luajtur në mesfushë, atje ku unë e kam kërkuar vet.
Përse nuk marrë më tepër përgjegjësi te Partizani? Po këtu vijnë 100 e ikin 100 të tjerë. Gjithmonë thonë: “Bardhi është talent, është talent, është talent. Bardhi është i ri, është i ri”. Nuk më jepet një dorë më tepër, nuk më jepet një besim më tepër. Shpeshherë më lënë në stol dhe në tribunë për dikë tjetër që vjen. Me Gegën kam bërë një kampionat të mirë, por kam luajtur sulmues pyk dhe jo në pozicionin tim, luajta nga halli në një farë mënyre. Këtu ka presion të jashtëzakonshëm, ndërroheshin edhe trajnerët pastaj që bëhej më e vështirë. E kam pasur shumë të vështirë që të depërtoja. Kam qenë golashënues tek të rinjë dhe më vjen keq që nuk kam shumë gola, më vjen keq për veten time se kam ego në jetë, më duket sikur po më ikën koha dëm.
Dua të them edhe diçka. Se Shqipëria ka shumë talente dhe fatkeqësisht nuk po i shohim. Nuk po i jepet më hapësira të rinjëve, nuk i japin fare mundësi. Madje edhe vetë të rinjëve u ka ikur fare ego kur shohin një lojtari që luan për 15 vite dhe nuk i merr dot njeri vendin”, u shpreh Bardhi. /Sport Ekspres/