Milani është forcuar së tepërmi me ardhjen e Ibrahimoviç. Kuqezinjtë ndodhen në vendin e parë të Serisë A, megjithëse si objektiv kryesor është mbërritja në “Champions League”, pasi Skudeto duket ende larg. Ndërkohë Zlatan Ibrahimoviç është “Zoti” i Milanos, duke ndikuar së tepërmi në rritjen e kualitetit të shokëve të ekipit dhe njëkohësisht duke vendosur i vetëm shumë ndeshje. Një rrëfim i gjatë do të publikohet te “Sky” me sulmuesin suedez në mbrëmjen e sotme, por ndërkohë media italiane ka treguar pak nga intervista.
“Ne duhet të vazhdojmë, unë këtu do të jem. Nuk duhet të jemi të kënaqur asnjëherë dhe gjithmonë duhet të vazhdojmë. Ndeshja më e rëndësishme është ndeshja tjetër. Askush nuk e mban mend ndeshjen e mëparshme te ne. Duhet të fitosh për të arritur qëllimet, lojtarët e Milanit nuk janë mësuar me këtë. Duhet të fitojmë çdo ndeshje dhe të nisim të mendojmë kështu që të arrijmë edhe në Europë. A mundet që Milani të arrijë në “Champions League”? Po, e mendoj kështu, kam tetë muaj këtu dhe e mendoj se do të arrijmë”, ka thënë Ibrahimoviç. /Sport Ekspres/