“Jeni krenar tani? I dhuruat Shqipërisë finalen”/ Në Greqi çmenden pas UEFA-s, deputeti grek sulmon Federatën

Nga Klaudio Ndreca

E si për të përmbyllur suksesin me kalimin e të gjithave ekipeve shqiptare nga turi i parë në Europë, rritjen e futbollit të femrave me Vllazninë që është krenaria e Shqipërisë dhe njëkohësisht Kombëtaren që merr vendin e parë në grup, UEFA jep vendimin që vjen si “qershia mbi tortë”. Finalja e parë e “Conference League” do të zhvillohet në Shqipëri, Tiranë! Në një vend që gjithmonë është mësuar për të qenë i pari nga fundi, futbolli po ndez dritën e shpresës. Qëllimi është përmbushur që pa nisur ky kompeticion, teksa media nga anë e mbanë Europa kanë shkruar se finalja e kompeticionit europian më të ri do të zhvillohet në Shqipëri.

Por sigurisht që jo në të gjitha vendet ka pasur duartrokitje për këtë vendim të marrë. Në Greqi e kanë më të vështirë për ta përtypur ngjitjen e shkallëve të Shqipërisë në futboll, ndërsa zëvendës ministri i Kulturës dhe Sportit, Lefteris Avgenakis e ka shprehur publikisht. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka sulmuar haptazi Federatën e Futbollit të Greqisë: “Sa krenar duhet të ndihen sonte disa nga Komiteti Ekzekutiv në Federatën Greke të Futbollit? Kanë tërhequr me justifikime qesharake kandidaturën e Pankritio Stadium, i cili ishte favoriti i padiskutueshëm për ta fituar, duke ia dhuruar Shqipërisë finalen e “Conference League”.

Po për çfarë bëhet fjalë saktësisht? Federata e Futbollit në Greqi kishte përzgjedhur si kandidaturë për të marrë finalen e parë të “Conference League” pikërisht stadiumin që ndodhet në Kretë, “Pankritio Stadium”. Dosja u paraqit në UEFA, por më pas brenda Federatës Greke të Futbollit vendosën që të ndryshonin zgjedhjen duke kërkuar që të konkurronin me stadiumin e ri të AEK, “Agia Sofia”, që ishte i papërfunduar. Në UEFA nuk e kanë pranuar një gjë të tillë për shkak të dosjes së mëparshme dhe Federata Greke e Futbollit kishte dy mundësi: “Të mbante zgjedhjen e parë ose të hiqte dorë tërësisht”. Duke zgjedhur rrugën e dytë ka sjellë edhe këto polemika të mëdha sapo është kuptuar se finalja do të zhvillohet në Tiranë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *