Do të ishte pikërisht ndeshja Bodo Glimt- Milan, ku do të niste një aventurë e re mes talentit 21-vjeçar, Hauge, dhe kuqezinjve. Edhe pse është vënë në dijeni se për momentin do të jetë thjesht një zëvendësues në sulm, djaloshi norvegjez po tregon se është gati të jetë në formacionin titullar të Stefano Piolit. Mbërmjen e sotme ndaj Celtic, të cilën Milani e fitoi me përmbysje me shifrat 4-2, Hauge shënoi një gol dhe dhuroi një asist. Për këtë arritje ai u shpreh mjaft i lumtur dhe do të dëshironte që ekipi i tij të ecte sa më larg në Europa Ligë.
“Jam shumë i lumtur! Nuk kemi filluar mirë por gabimet janë gjëra që ndodhin. U përgjigjëm mirë, jam i kënaqur me performancën. Punoj shumë dhe përmirësohem çdo ditë. Mundohem të mësoj çdo ditë, është shumë mirë të punoj me këtë grup. Rezultatet në fushë më bëjnë të lumtur. Na pëlqen të luajmë në Europë dhe sa mirë që rrugëtimi ynë vazhdon”- u shpreh djaloshi 21-vjeçar./Elio Hajdari-Sport Ekspres/