Kastrioti e ka nisur këtë kampionat në elitën e futbollit të Shqipërisë në mënyrën më të mirë. Ekipi i drejtuar nga ana e Ndreut është i vetmi që nuk ka pësuar asnjë humbje në këto pesë javë të para, së bashku me Teutën. Ndërkohë Kastrioti ka matur forcat me Partizanin, Laçin, Apoloninë, Skënderbeun dhe Tiranën.
Pra prova e forcës është kaluar me sukses. Vetë trajneri i ekipit ka treguar edhe sekretin e këtyre rezultateve pozitive: “I kam kërkuar skuadrës që të marrë maksimumin në këto javë të para. Impenjimi i kundërshtarëve nuk është i njëjtë si me javët e fundit, atëherë kur të gjithë kërkojnë pikë”. Plani i Kastriotit është i qartë për të përsëritur Bylisin i cili në sezonin e shkuar mori maksimumin në gjysmën e parë të kampionatit, për të qëndruar i qetë në takimet e fundit të Superiores, pavarësisht rezultateve të arritura.
Kështu edhe skuadra e Ndreut e nisi menjëherë duke mundur Partizanin në shifrat 2-1. Një tjetër pikë është marrë me kryeqytetasit, këtë herë kundër kampionëve të Tiranës që u ndalën në barazimin 1-1. Skënderbeu është mundur në transferë në shifrat 1-2 dhe një tjetër pikë e marrë në shtëpinë e Laçit, skuadra që ka si objektiv titullin kampion.
Rezultatet janë fantastike në këto javë të para për Kastriotin dhe i vetmi peng është mungesa e dy pikëve nga përballja me Apoloninë. Megjithatë vendi i tretë në renditje pas pesë javësh nuk është aspak keq dhe vëmendja e Kastriotit është e përqendruar tërësisht te kampionati, aq sa humbën në shifrat 5-0 kundër Teutës në Kupë, për të paraqitur tërësisht një “fytyrë tjetër” e të painteresuar për suksesin. /Sport Ekspres/