Atalanta luan nesër ndeshjen e parafundit në grupet e Champions League, ku përballë do të kenë ekipin e Midtjylland. Bergameskët vijnë nga humbje në kampionat, por mbrëmjen e nesërme pritet të nryshojnë fytyrë, duke ditur faktin se luajnë për kualifikimin në fazën tjetër të kompeticionit më të lakmuar për klube.
Berat Gjimshiti ka qenë i pranishëm në konferencën për shtyp përpara kësaj përballjeje, ku është shprehur se humja me Veronën ka sjellë zemërim në skuadër, por dëshira e tyre është kualifikimi dhe për këtë arsye do të synojnë vetëm fitoren kundër danezëve. Gjithashtu mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka pranuar se kjo periudhë 5 vjeçare në Itali e ka rritur së tepërmi.
“Unë nuk jam ai që lexoj shumë gazeta të ndryshme, sigurisht jam rritur shumë. Në janar unë bej në Itali pesë vite, është një kampionat që gjithashtu të bën të rritesh mendërisht. Tani është viti i tretë që jam këtu me trajnerin, mendoj se jam rritur. Ka cilësi në këtë ekip, kjo të ndihmon të rritesh. Ju mund të shihni se ekziston dëshira e duhur. Unë mendoj se është e njëjta gjë edhe për shokët e mi të skuadrës.
Kohët e fundit kemi pësuar më pak gola, jemi më solid prapa. Ne kemi punuar për të arritur këtë kompaktësi në mbrojtje, është forca jonë. Në ndeshjet e fundit kemi arritur të luajmë më mirë, me Hellas kemi bërë gabime të shmangshme, por ne gjithmonë mund të rritemi. Ne e dimë, rezultatet që kemi bërë kohët e fundit kanë ardhur për shkak të dëshirës që kemi. Ne jemi të zemëruar pas ndeshjes së të shtunës, por duam të vazhdojmë më tej”, ka thënë Berat Gjimshiti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/