Analizë/ Nga objektivi, te problematikat dhe përfitimet, ja bilanci i Shqipërisë në Nations League

Nga Sulejman Mema

Me mbylljen e edicionit të UEFA Nations League 2020 është kohë bilancesh edhe për Kombëtaren shqiptare. Duhet thënë qysh në fillim se ky është një edicion i suksesshëm për përfaqësuesen tonë, në të gjitha drejtimet e mundshme. Së pari, u arrit objektivi që kishim vënë, duke u renditur në vendin e parë të grupit dhe duke u ngjitur në Ligën B të këtij turneu. Vërtetë ne e kishim shpallur si objektiv dhe mund të thuhet që ishim favoritë, por për asnjë çast nuk ka qenë e lehtë dhe rruga ka qenë e mundimshme, e mbushur plot me pengesa.

Në fakt, ecuria e mirë ka shkuar përtej çdo parashikimi, jo duke patur parasysh kualitetin që ne zotërojmë si grup, por duke mposhtur edhe vështirësitë e mëdha që ka pasur Kombëtarja në këtë periudhë. Pandemia ka kushtëzuar ndjeshëm zgjedhjet e stafit teknik, pasi ka qenë shumë e vështirë në disa raste grumbullimi i lojtarëve. Klubet i druheshin masave kufizuese, karantinës së detyruar apo edhe infektimit të futbollistëve. Kjo ka bërë që klubet të vënë në vështirësi jo pak herë lojtarët para grumbullimit me Kombëtaren dhe në disa raste i kanë penguar në mënyra të ndryshme.

Së dyti, duke u ndalur te rezultati, në 6 ndeshje të luajtura pësuam vetëm një humbje aksidentale në Tiranë për shkak të një gabimi. Asnjë humbje në transfertë, një tjetër hap përpara për Kombëtaren që e ka rritur shumë nivelin. Përveç ndeshjes me Lituaninë në Tiranë ku nuk luajtëm shkëlqyeshëm, në takimet e tjera në transfertë ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë ka bërë paraqitje shumë të mira dhe meritonte në të dyja rastet fitoret. Kuqezinjtë krijuan shumë raste të pastra për gol, por u mungoi fati. Edhe në pjesën mbrojtëse skuadra ka treguar një soliditet dhe i gjithë reparti ka shkëlqyer. Vetëm në ndeshjen ndaj Bjellorusisë pësuam dy gola, aq sa kishim pësuar në total në 5 ndeshjet e tjera, dhe kjo erdhi si pasojë e lodhjes dhe rraskapitjes për shkak të tre ndeshjeve në 8 ditë të luajtura me intensitet të lartë. Sigurisht, ka vend për përmirësim dhe ka gabime që nuk kanë rezultuar edhe aq vendimtare, por që duhen eliminuar. Ky është fokusi i stafit teknik në të ardhmen që duhet të shkojë si proces paralel me rinovimin dhe afrimin e elementëve të rinj në grupin kuqezi.

Së treti, gjatë këtij edicioni të Nations League janë aktivizuar një numër i madh lojtarësh, plot 37 të tillë, të cilët janë evidentuar nga specialistët e FSHF, duke rritur kësisoj numrin e alternativave për stafin teknik sa i përket zgjedhjeve. Nga këto vetëm 8 prej tyre nuk janë aktivizuar në ndeshje zyrtare, pa llogaritur miqësoren me Kosovën. Këtë edicion numri i lojtarëve që kanë ardhur nga ekipet kombëtare të moshave për në Kombëtaren A ka qenë i konsiderueshëm. Veçanërisht në xhiron e dytë të ndeshjeve të Nations League trajneri Reja ka afruar shumë të rinj nga ekipet e moshave kuqezi.

Lojtarë si Armando Broja, Sherif Kallaku dhe Albi Doka kanë debutuar ndërkohë në ndeshje zyrtare, ndërkohë që me ekipin janë grumbulluar të tjerë si Giacomo Vrioni, Enis Çokaj, Ramen Çepele, Marsel Ismajlgeci. Edhe lojtarë të tjerë si Marash Kumbulla, Lindon Selahi apo Taulant Seferi janë aktivizuar edhe pse kanë qenë të grumbulluar në ndeshje të kaluara, por nuk kanë pasur minuta me Kombëtaren. Stafi teknik ka bërë një rinovim të skuadrës gjatë rrugës, mbase edhe të detyruar për shkak të mungesave, por ky proces ka vijuar dhe rezultatet kanë qenë pozitive. Tani është e rëndësishme që ne të sigurojmë lojtarë që do të mund të zëvendësojnë ato që quhen “veteranë” e që kanë peshë specifike në manovrën kuqezi. Kemi cilësi dhe stabilitet në mbrojtje e në sulm, por në mesfushë duhet të kemi më shumë teknikë e lojtarë të rinj, të cilët punojnë më shumë me topin dhe të na sigurojnë qarkullim më të mirë dhe më shumë zotërim të topit.

Sigurisht, përfitimet ishin po ashtu të rëndësishme për Kombëtaren shqiptare në këtë edicion. Tashmë ngjitemi në Ligën B ku do të përballemi me rivalë më të rëndësishëm dhe do të matim forcat me skuadra me emër. Përveç kësaj duket se kemi fituar një bast të mirë për të ardhmen, duke siguruar një brez të mirë për skuadrën e së ardhmes. Në këto pak muaj kemi evidentuar dhe promovuar aq shumë talente të perspektivës sa do na duheshin tre edicione turnesh ndërkombëtarë për t’i përzgjedhur./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *