Interi arriti të bëjë një përmbysje të çmendur përballë Torinos. Në momentin kur ishin në rezultatin 0-2 në favor të kundërshtarit, zikaltërit u shndërruan në një “makineri vrasëse” duke shënuar 4 herë. Për këtë një meritë të madhe ka trajneri Antonio Conte, i cili është i njohur për grintën e tij që gjithashtu e ka transmetuar dhe tek lojtarët e Interit. Në intervistën pas ndeshjes, Conte deklaroi se përveç anës taktike dhe teknike, ai sigurohet që të nxjerrë “zjarrin” që ndodhet në brendësi të lojtarëve.
“Përveç anës teknike dhe taktike, mënyra sesi ne e organizojmë veten përpara një ndeshje, ka të bëjë shumë me “flakën” që ndodhet brenda secilit lojtar. Tek disa është më e madhe, tek disa më e vogël, por detyra ime është që t’i motivoj të gjithë lojtarët në mënyrë që ky “zjarr” të shpërthejë tek të gjithë. Pra, përveç kualitetit ne duhet të kemi urinë për të shënuar sa më shumë gola”- u shpreh Antonio Conte. /Sport Ekspres/