Nga Klaudio Ndreca
Viteshe ka falur fitoren dhe dy pikë të rëndësishme në transfertën kundër Gronigen. Në këtë përballje nuk u arrit më tepër sesa barazimi 1-1, që e dërgon Viteshen në krye të klasifikimit në “Eredivisie” përkohësisht, pasi Ajaks dhe PSV do t’i luajnë nesër ndeshjet e tyre. E nëse Viteshe nuk ka marrë tre pikët ndaj Gronigen, përgjegjësia bie edhe mbi Armando Brojën. Sulmuesi shqiptar humbi një rast me portën e boshatisur në minutën e 63, duke mos i besuar syve për mundësinë e shpërdoruar.
Trajneri i Viteshes, Leitsch, është shprehur se atmosfera në dhomat e zhveshjes ishte si të kishte ndërruar jetë dikush. Por nuk ka vend për shumë imagjinatë pasi vetë reagimi i Armando Brojës në fundin e ndeshjes tregon panoramën. Me dorën e vendosur në fytyrë dhe dëshpërimin e madh, nuk mund të fshihej nga kujtesa mundësia e pashfrytëzuar. “Atmosfera ishte si të kishte ndërruar jetë dikush. Por mua më pëlqen, më pëlqen ky lloj mentaliteti. Të gjithë dëshpërohen nga barazimi duke parë rezultatet tona, ky është statusi i ri i Viteshes. Broja? Unë shpresoj se nuk do të bëj gjumë të keq sot për këtë që i ndodhi. Ky është futbolli dhe gjithçka është u mundur”, u shpreh trajneri Letsch. /Sport Ekspres/