“Klasikja“ e Superiores do të zërë vend ditën e nesërme, ku në “Loro Boriçi“ Vllaznia do të presë Tiranën. Kuqeblutë po tregojnë një formë mjaft pozitive në këtë fillim sezoni dhe tifozët shkodranë janë siguruar që t’i japin dozën e duhur të motivimit lojtarëve që këtë ecuri ta çojnë përpara edhe ndaj kampionëve në fuqi të Shqipërisë.
Pavarësisht se stolat e stadiumit do të jenë të boshatisur për shkak të pandemisë, tifozët e kanë treguar mbështetjen e tyre të zjarrtë jashtë hotelit ku gjendej i grumbulluar ekipi i Vllaznisë. Me këngë e me flakadanë në duar, një grup të rinjsh kanë treguar dashurinë për skuadrën e tyre të zemrës, duke u treguar me këtë surprizë të bukur edhe njëherë se sa i rëndësishëm është për ta ky klub. Padyshim që me një atmosferë të tillë, lojtarët do të kenë nesër një motivim shtesë për të fituar ndeshjen./Halit Delibashi-Sport Ekspres/