Shqipëria ka rigjetur fitoren në Ligën e Kombeve. Ngërçi i golave tashmë ka marrë fund, teksa kuqezinjtë kanë shënuar 3 herë në portën e Kazakistanit, ndërsa këta të fundit shënuan vetëm njëherë. Me këto tre pikë të marra mbrëmjen e sotme Kombëtarja e drejtuar nga Edi Reja shkon më e sigurt në ndeshjen e radhës kundër Bjellorusisë, ku do të kërkojë me ngulm vendin e parë në grup. Në përfundim të 90 minutave, protagonistët e takimit kanë dhënë prononcimin e tyre për “Supersport”.
“Treguam që jemi një skuadër kompakte dhe e fortë që mund të konkurojmë me të gjithë. Vendosmëria që kanë lojtarët dhe grupi bënë diferencën. Shumë lojtarë sakrifikuan. E dinim që duhen dy fitore për vendin e parë në grup. Thjesht duhet që të rikuperojmë sa më shpejt dhe të jemi gati për ndeshjen e radhës”, ka thënë Elseid Hysaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/