Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria U-21 mban të ndezur ende ëndrrën e saj për kualifikim pas fitores së arritur në shifrat 0-1 ndaj Kosovës U-21. Kuqezinjtë morën tre pikët e vyera pas golit me kokë të Enis Cokajt. Mesfushori i Lokomotivës së Zagrebit shihet si e ardhmja e ndritur e Kombëtares, pasi ka gjithë potencialin për të shkuar larg me Shqipërinë dhe të jetë pjesë e skuadrave të njohura në Europë. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Cokaj na tregon pas ndeshjes me Kosovën edhe emocionet e kësaj vëllazërore. Sigurisht që nuk mund të mungonte edhe pyetja mbi golin e shënuar pasi nuk ndodh shpeshherë që Cokaj të realizojë me kokë.
“Ndeshja e fituar ishte me shumë emocione pasi ishim kundër vëllezërve tanë. Dua të theksoj mikpritjen që na kanë bërë kur kemi ardhur në Prishtinë. Jemi ndierë mirë këtu. Sa i përket golit, kisha ndjesi që në momentin kur e kemi marrë kornen. Pashë që shtylla e parë ishte bosh dhe pikërisht aty shënova. Të gjithë djemtë janë të motivuar dhe kemi shumë besim për një rezultat pozitiv në Angli pasi ky ekip ka shumë cilësi”, ka thënë Cokaj.
I pyetur nëse kjo fitore i dedikohet Alban Bushit që rezultoi me COVID-19 përpara ndeshjes, Cokaj ka thënë: “Kjo fitore i dedikohet plotësisht Bushit pasi edhe pse nuk ishte i pranishëm e gjeti mënyrën duke na dërguar video para ndeshjes për të na motivuar dhe ndoqëm skemat e tij, kështu arritëm të fitonim. Por dua të përmend edhe punën e mirë që kanë bërë trajnerët e tjerë që kemi ne këtu në mungesë të Bushit”, përfundoi Cokaj. /Sport Ekspres/