Aventura e re e Klodian Duros në krye të Feronikelit nuk po shkon aspak mirë. Rezultatet po mungojnë dhe skuadra po zhgënjen në fushën e lojës. Madje vetë klubi do të reagonte në faqen zyrtare duke shpërthyer ndaj lojtarëve të vetë, ndërsa paralajmëronte dënime për ta. Por si për të mos mjaftuar me kaq, ditët e fundit një frymë aspak e mirë ka qenë edhe jashtë fushe. Dy ndihmës trajnerë janë shkarkuar nga detyra prej Duros, ndërsa njëri prej të larguarve nga stafi dha një rrëfim tronditës për dhunë të Grecës mbi një punonjës të stadiumit, si dhe lëshoi akuza se nën drejtimin e ish-mesfushorit të Kombëtares kuqezi është rritur dhuna fizike e psikologjike në skuadër.
Klodian Duro dëshiron t’i japë fund njëherë e mirë kësaj situate te Feronikeli, ku nuk tolerohen rezultate të tilla si ato të arritura deri tani. Pas shkarkimit të ndihmëstrajnerëve, tashmë kreu i pankinës së ekipit nga Drenasi ka vendosur të ndëshkojë 6 prej lojtarëve të tij. Sipas asaj që bën të ditur “Gazeta Olle“, Bedri Greca, Viktor Kuka, Argjend Bardhi, Alban Pnishi, Marclei Santos dhe Ardi Qorri janë stërvitur të veçuar nga pjesa tjetër e grupit. Duro dëshiron të vendosë rregull në ekip dhe janë pikërisht këta 6 lojtarë që ka zgjedhur për të bërë shembull./Halit Delibashi-Sport Ekspres/