Koronavirusi mund të ketë ndaluar tifozët në shkallët e stadiumit, por kurrsesi dashurinë e tyre për skuadrën. Ditën e djeshme, tifogrupi i Tiranës, “Capital Crew” ka bërë një super pyroshow në “Skënder Halili”. Të veshur me kostume dhe maskat anti-Covid, këta individë kanë mbuluar tribunën me një përzierje ngjyrash spektakolare.
Shfaqjen e kanë zbuluar vetë mbështetësit e Capital Crew, të cilën e kanë publikuar në rrjetin social ”Facebook”. Ky veprim u cilësua si i shkëlqyer nga ndjekësit e faqes. Capital Crew u krijua vitin e kaluar nga disa ish anëtarë te tifogrupit West Boys. Kjo organizatë është mjaft e dhënë pas ekipit të Tiranës, të cilën e ndjekin në çdo ndeshje si në shtëpi ashtu edhe në transfertë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/