Ekipi i femrave të Vllazninë ka hedhur një hap të rëndësishëm ditën e sotme, ku ka eliminuar kampionen e Turqisë, ALG Spor, në raundin e parë kualifikues në Champions League. Një ndeshje dramatike ku pati 6 gola, nga 3 për secilën skuadër, e cila u vendos nga pika e bardhë e penalltive. Një arritje e madhe e vajzave shkodrane që kanë bërë krenar të gjithë tifozët shqiptarë.
Një sukses i tillë nuk mund të mos kalonte në vëmendjen e kreut të FSHF-së, Armand Duka, që përmes llogarisë së tij zyrtare në “Facebook“ shpreh lumturinë e tij për kalimin e turit të Vllanzisë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit uron që femrat e skuadrës kuqeblu të arrijnë sa më larg në këtë kompeticion dhe të shërbejnë si një burim frymëzimi për të gjitha vajzat shqiptare që duan të jenë pjesë e futbollit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Postimi i Armand Dukës:
Jashtëzakonisht i lumtur me fitoren e sotme të Vllaznisë në turin e parë kualifikues të UEFA Ëomen’s Champions League ndaj kampiones së Turqisë, ALG Spor Kulubu! Ka qenë një ndeshje vërtetë emocionuese dhe e luftuar deri në fund.
Një arritje e shkëlqyer për vajzat kuqeblu, por edhe për futbollin e femrave. Le të shpresojmë që ky sukses të pasohet nga të tjera triumfe dhe Vllaznia të avancojë në fazën e grupeve të Champions League për femra.
Do të ishte një sukses i merituar për këtë ekip, por që njëkohësisht tregon se futbolli i femrave në Shqipëri është rritur në aspektin cilësor vitet e fundit.
Urimet më të mira për drejtuesit e klubit, stafin teknik dhe shpresoj që Vllaznia të vazhdojë të jetë një burim frymëzimi për të gjitha vajzat që duan të luajnë futboll! Jemi krenar për ju!