Çmenduri dhe lot/ Vllaznia eliminon ekipin turk në “Champions League”, krenaria shqiptare fiton dramën

Nga Klaudio Ndreca

Një ndeshje e vërtetë futbolli me plotë kuptimin e fjalës ishte përballja mes Vllaznisë dhe ALG Spor në turin e parë të “Champions League” për femra. Në një përballje ku fati i kualifikimit do të vendosej me një ndeshje, ka ndodhur gjithçka në “Loro Boriçi”. Ekipi mik ishte favorit në letër për të fituar në këtë ndeshje e cila shkoi deri në ruletën ruse. Një fakt interesant është se te ALG Spor është bërë vetëm një zëvendësim përgjatë 120 minutave, ku kundërshtaret e Vllaznisë kishin dukshëm freskinë fizike dhe përgatitje më të lartë.

Por vetëm kjo nuk mjafton, pasi dëshira e madhe e shkodraneve bëri që të krenojë sërish Shqipërinë edhe me futbollin e femrave, që në vitet e fundit ka një rritje të dukshme. Gjini do të realizonte golin e parë në minutën e 7 të takimit, për të sjellë avantazhin te Vllaznia. Ndërkohë Seyfatdinova do të kthente baraspeshën në minutën e 53. Sërish e njëjta autore te Vllaznia me Gjinin që në minutën e 69 po krijonte idenë e një kualifikimi, por nisi të shuhej disi. Kjo pasi vetëm tre minuta më vonë Arhan do të realizonte një gol spektakolar nga goditja e dënimit, për t’i dërguar sërish shifrat në 2-2.

E si për të vështirësuar më tepër gjërat ishte Curraj që u ndëshkua me të kuq te Vllaznia përpara mbylljes së 90 minutave. Në 30 minutat e shtesë ekipi turk kishte shumë raste për të shënuar në portën e shkodraneve, por mbrojtja do të përgjigjej në nivelin më të lartë. Ndërkohë në minutën e 118 ishte Civilek që gjeti rrjetën për t’i dhënë avantazhin miqëve. Të gjitha lojtarët e Vllaznisë u shtrinë përtokë për të paralajmëruar kështu fundin e një takimi dhe eliminimin e menjëhershëm nga “Champions League”.

Ekipi shkodran u shpërbë dhe në të paktën dy raste portierja e Vllaznisë ka bërë dy pritje të pabesueshme për të mos pësuar golin e katërt. E si për të përmbyllur dramën ka menduar Arbiona Bajraktari e cila u gjend e vetme në zonën kundërshtare dhe e dërgoi topin në rrjetë në aksionin e fundit para vërshëllimës përfundimtare.

Një festë e çmendur dhe lot në ekipin shqiptar, mbi një barazim emocional që po krijonte edhe idenë e triumfit. Me një moral më të lartë në ruletën ruse, shkodranet ia dolën në ekzekutimin e 11-metrave, përkundër pasaktësisë nga ana e ALG Spor. Pas këtij triumfi Vllaznia ka kaluar në turin tjetër të “Champions League”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *