Kategoria Superiore do të zbresë sërish në fushë ditën e mërkurë, më 4 nëntor, kur rezervohet edhe një nga sfidat më të forta të kampionatit. Tirana do të presë Kukësin në Korçë dhe të dyja skuadrat do të përpiqen të tregojnë që në ndeshjen e parë se cila do të diminojë mes tyre në kampionat.
Megjithatë fati nuk i ka buzëqeshur bardhebluve, teksa Egbo nuk do të llogarisë shërbimet e 3 lojtarëve kyç si Torasa, Batha dhe Kale dhe i duhet të shkohë i përgjysmuar në duelin me verilindorët. Në intervistën e dhënë për mediat pas ndeshjes së djeshme në Kupën e Shqipërisë kundër Shkumbinit, trajneri i kampionëve në fuqi të Superiores shprehet se nuk ka çfarë të bëjë në lidhje me mungesat, por do të jetë gati për Kukësin. Sa i përket pretendentëve për titull, Egbo mendon se është herët për të dalë me emra që në fillim të kampionatit
“Është shqetësim i madh, por çdo problem që nuk ka zgjidhje nuk është problem. Ne do të shohim lojtarët që kemi. S’kemi çfarë të bëjmë. Nuk ka zgjidhje tjetër, kështu që nuk po shqetësohem fare. Çdo ndeshje është e vështirë, nuk ka ndeshje të lehtë. Mendoj që do jemi gati për të mërkurën kundër Kukësit.
Sa ka filluar kampionati, është rrugë e gjatë për të diskutuar për pretendentët. Të 10 skuadrat mendohet që janë pretendente sa fillon kampionati. Të gjithë janë rivalë tani, edhe Shkumbini ishe ndeshje e fortë“, ka thënë Emanuel Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/