Komisioni i Disiplinës ka zbardhur vendimet e marra për ndeshjet e luajtura ditën e djeshme, të vlefshme për raundin e parë të Kupës së Shqipërisë. Hapja e sezonit të ri të futbollit shqiptar nuk ka kaluar pa dënime. Tre futbollistë janë pezulluar për sjellje josportive në fushën e lojës, si dhe një zyrtari i klubit të Egnatias, Klaudian Dervishi, ka pasur të njëjtin fat, me dy ndeshje pezullim për shkak të protestive ndaj vendimeve të gjyqtarit.
Por ajo që tërheq më tepër vëmendjen është Luftëtari. Disiplina ka vendosur me “dorë të hekurt” për skuadrën gjirokastrite, e cila nuk u paraqit në fushë kundër Elbasanit. Një gjë e tillë ka bërë që takimi të humbet të në tavolinë 3-0 për bluzinjtë, që gjithashtu duhet t’i thonë lamtumirë Kupës së Shqipërisë edhe për sezonin e ardhshëm, pasi Komisioni i Disiplinës ka dhënë verdiktin e tij që e ndalon Luftatarin të jetë pjesëmarrës në edicionin 2021/2022 të këtij kompeticioni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Vendimet e plota:
1. Lojtari i FK Dinamo, Plarent Fejzaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarëve, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
2. Zyrtari i KF Egnatia, Klaudian Dervishi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 55/2 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
3. Lojtari i KF Skënderbeu, Sciprim Taipi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 1 (një) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
4. Lojtari i FK Tomori, Orgest Gava, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
5. KF Luftëtari, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kupën e Shqipërisë kundër FK Elbasani, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe Nenit 109/2/a/c të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe dënohet me mospjesëmarrje në sezonin pasardhës të Kupës së Shqipërisë.