Më në fund momenti i Gareth Bale ka ardhur. Sulmuesi uellsian ka gjetur golin e tij të parë me fanellën e Tottenham-it, që nga koha kur vendosi të rikthehej sërish te londinezër. Eksperienca e tij në Madrid rezultoi e hidhur, ku vitet e fundit marrëdhënia me klubin u ftoh së tepërmi dhe Bale-it iu desh që në të shumtën e rasteve të ngrohte stolin e rezervave.
Pak më shumë se një vit më parë ishte hera e fundit kur lojtari 31-vjeçar tundte rrjetën, duke ia harruar kështu shijen golit. Por ky makth tashmë është hedhur pas krahëve, pasi Mourinho duket se i riktheu sërish nuhatjen para porte. Një goditje me kokë në minutën e 73-të e dërgon topin pas shpinës së portierit të Brighton-it, duke vulosur edhe fatin e ndeshjes në shifrat 2-1 për skuadrën e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
https://twitter.com/sedwarner/status/1323004757729038336