Speciale/ Rrugëtimi i gjatë për të mbërritur te Superiorja, një katenaço i siguroi fitoren futbollit shqiptar

Nga Klaudio Ndreca

Ligji i sponsorizimit ishte kthyer në një legjendë shqiptare, si një histori që po vazhdonte të tregohej nga protagonistët e futbollit për vite të tëra, por në dukje jashtë realitetit për t’u realizuar nga Qeveria. Kishim mbërritur në momentin kur edhe vetë presidentët e ekipeve shqiptare nuk e besonin se kërkesa e tyre mund të plotësohej, pavarësisht fjalëve të thëna në media.

Për të mbërritur më pas te vendimi i bojkotit i cili realizoi objektivin e tij dhe kur mbetemi vetëm pak ditë nga nisja e kampionatit, këtë herë sezoni i ri vjen me më shumë optimizëm. Zakonisht në Shqipëri është thuajse e pamundur që të bashkosh dy persona së bashku, por në këtë bojkot janë mbledhur 10 krerët e klubeve të Superiores.

Të gjithë kanë mbajtur një qëndrim unanim në një kohë të vështirë që rëndonte edhe më tepër bilancin ekonomik të klubeve, por ishte e gjitha për hir të një të ardhme premtuese. Duke ditur lojën politike të Ramës në gjithë këto vite drejtimi, futbolli arriti që të realizojë golin e fitores duke luajtur “katenaçon” perfekte. Pra duke shtrënguar dhëmbët për të mos hequr dorë deri në minutat e fundit, krerët e klubeve nuk do të binin lehtë pas thirrjeve të para për t’u kthyer menjëherë në fushë dhe për të mënjanuar presionin.

Ashtu siç jemi mësuar në çdo protestë dhe kryengritje të nisur në Shqipëri për qëllime të caktuara, por kur pas 2-3 ditësh zhurme, qetësia kaplon vendin. Shpeshherë edhe mes premtimeve të kryeministrit Rama që shërbejnë si një ilaç që vendosin njerëzit në gjumin letargjik. Por këtë herë nuk kishte vend për gjumë, futbolli duhej të fitonte dhe fitoi!

Që në ditët e para është kërkuar një takim direkt me Edi Ramën, ndërsa fillimisht u mendua që e gjithë kjo procedurë të bëhej si një garë me pengesa. Sa herë që ngriheshin kërkesat nga ana e Ligës Profesioniste, i deleguari i Qeverisë, Fidel Ylli, do të ishte aty për ta vështirësuar më tepër mbërritjen në fundin e rrugëtimit.

Pengesa këto tërësisht të panevojshme kur zgjidhja mori udhë pas takimit që kreu i FSHF-së, Armand Duka, zhvilloi me kryeministrin Rama. Nëse në krahun e Kryeministrit do të kishte një gatishmëri të tillë disa kohë më parë, atëherë do të evitoheshin edhe spektaklet televizive për të treguar se kujt i “dhemb” më shumë për sportin.

Njëherë me Qeverinë dhe njëherë me sportin, Fidel Ylli kërkonte që të luante vetë nga të dy portat, duke mos e bërë të qartë se fanellën e kujt ekipi ishte duke mbrojtur në këtë rast. Por kjo tanimë i përket së shkuarës, pasi tifozët kanë mundësinë që të shohin sesi luajnë ekipet e tyre të zemrës dhe jo Fidel Yllin.

Shumë akuza u hodhën edhe për një përdorim politik të kësaj çështje. Por vetë zhvillimi i saj e tregoi pastërtinë e qëllimit në këtë aspekt. Kur kryeministri Rama dha premtimin për plotësimin e katër pikave dhe krerët e klubeve menduan se bojkoti po niste të bëhej i papërballueshëm për ta, menjëherë vendosën për t’u kthyer në fushë. Asnjë skenar për të dëmtuar imazhin e Qeverisë, por duke shkuar menjëherë në planin e përbashkët pas marrjes së premtimit prej saj.

E kush do ta mendonte disa kohë më parë se në këtë vend do të kthehej vështrimi edhe nga sporti? Gjithmonë duhet të sakrifikohet dikush për të mirën e përgjithshme. Këtë herë u sakrifikua futbolli për sportin në tërësi. Gjithmonë duhet të përdoresh të gjitha mjetet për qëllimin e mirë. Këtë herë u shkua deri në ekstremin e bojkotit për ndihmën e sportit. Disa kohë më parë shihej se ishte e pamundur që Qeveria të merrte në konsideratë kërkesat e sportit, e sidomos në një periudhë të tillë pandemie ku konsiderohej vetëm si një shtojcë në këtë vend. Por në fund sporti fitoi, me katenaçon që tregon se funksionon edhe njëherë tjetër në Shqipëri, për të pritur momentin e duhur që topi të dërgohet në rrjetë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *