Një pjesë e Kukësit të sezonit të fundit është transferuar te Instabulspori. Këta të fundit janë tërësisht të kënaqur me Rrocën dhe Abazajn që kanë shkëlqyer në takimet e para që kanë zhvilluar në Turqi. Gjetje që po rezultojnë “bingo” për drejtuesit e Instabulsporit, të cilët nuk janë ndalur me kaq dhe kanë marrë edhe një tjetër ish-lojtar të verilindorëve.
Këtë herë bëhet fjalë për Valon Et’hemin, i cili ishte ende në kërkim të një skuadre. Pas përplasjeve në ndarje me verilindorët ku për këtë fakt iu bllokua edhe transferimi te Zaglebie, është arritur marrëveshja përfundimtare me Instabulsporin.
Menaxheri i lojtarit, Adrian Aliaj, në një prononcim për “Infosport.mk” ka konfirmuar se sot do të vijë edhe zyrtarizimi. Nga ana tjetër Et’hemi ka qenë i pranishëm në stadium për të parë edhe fitoren e fundit të ekipit të ri, atje ku shënoi Abazaj dhe asistoi Rroca. /Sport Ekspres/