Sherif Kallaku është një nga futbollistët e gjeneratës së re të ekipit tonë kombëtar dhe duket një nga mesfushorët më premtues. I lindur në qytetin e Fushë-Krujës, ai filloi të merrej me futbollin në një moshë fare të vogël. Pas shkëlqimit me klubin e Teutës, Kallaku kaloi këtë verë në klubin e NK Lokomotivës së Zagrebit, në Kroaci.
Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, mesfushori kuqezi tregon marrëdhëniet me shokët e rinj të ekipit si dhe me djemtë dhe trajnerët e ekipeve kombëtare, Shpresa dhe Kombëtares A.
Për Kallakun, nata para ndeshjes me Kazakistanin ka qenë e pagjumë, ndërsa ndër momentet më të lumtura kujton fitoren në finalen e Kupës së Shqipërisë, kundër ekipit të Tiranës. Sakrificat, synimet për të ardhmen, momentet më të lumtura dhe tifozin numër një, ai e tregon në këtë intervistë.
Sherif Kallaku debutoi në ndeshjen kundër Kazakistanit në transfertë si titullar ndërsa më parë ka qenë pjesë e ekipit Shpresa, ku ka mbajtur dhe shiritin e kapitenit. Me pak fjalë mesfushori po i ngjit me shpejtësi shkalët e suksesi, pasi vetëm brenda një sezoni fitoi Kupën e Shqipërisë, u transferua në një klub të huaj dhe debutoi me Kombëtaren.
– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– Dëshira për të luajtur këtë lojë ka nisur që kur isha në moshë të vogël dhe njeriu i parë që më ka mbështetur ka qenë i ndjeri babai im. Ai ka qenë gjithmonë aty me mua, në çdo moment, edhe kur kisha stërvitje vinte dhe më ndiqte. Ka qenë tifozi im numër dhe ishte i pranishëm në ndeshjet e mia deri në momentin që ka ndërruar jetë.
– Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po te klubi si ndihesh? Na thuaj diçka për ecurinë me klubin e ri
– Marrëdhënia me shokët në ekipin e Shpresave është mjaft e mirë, si në planin profesional, edhe në atë shoqëror. Edhe në kombëtaren A u ndjeva mjaft i qetë dhe çunat më pritën shumë mirë. Me trajnerët, profesor Bushin dhe trajnerin Reja kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Bushi më ka dhënë një besim të jashtëzakonshëm dhe më ka mbështetur shumë, duke më dhënë edhe shiritin e kapitenit. Ndërsa me Rejën jam ende në fillimet e mia dhe shpresoj të bashkëpunojmë gjatë dhe t’ia shpërblej besimin që më dha me sa më shumë gola dhe lojë të mirë.
Në klubin e ri ndihem mirë, po ambientohem me kohën. Kisha pak vështirësi në fillim, por kam fat pasi kam shokë nga Shqipëria. Edhe me pjesën tjetër të ekipit kemi krijuar respekt dhe vlerësim për njëri-tjetrin.
– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?
– Kur mora ftesën nga Misteri isha shumë i lumtur, por edhe më i lumtur isha kur mora vesh që do isha titullar në ndeshjen ndaj Kazakistanit. Nuk fjeta gjumë atë natë, nuk e di se pse. Nga emocionet ndoshta, dëshira e madhe për të qenë pjesë e ekipit A, nga ëndrra e bërë realitet. Nuk di ta them. Thjesht kam qenë shumë i lumtur.
– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?
– Të them të vërtetën jo, nuk i shikoj shpesh. I shikoj vetëm kur më duhet të analizoj diçka, por nuk jam nga ata të fiksuarit që të shoh veten në çdo ndeshje.
– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaren dhe me klubin.
– Finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës ka qenë një nga ndeshjet që më ka lënë mbresat më të mëdha pasi kthyem në qytetin e Durrësit kupën që mungonte prej 15 vitesh. Ndërsa me kombëtaren, do të veçoja debutimin tim si titullar në ndeshjen kundër Kazakistanit, kurse me Shpresat, fitoren 1-5 kundër Austrisë në transfertë.
– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
– 16 vjeç jam larguar nga Shqipëria drejt Italisë dhe kjo ka qenë një nga sakrificat e mia më të mëdha që kam bërë, pasi më duhej të largohesha nga familja ime për të jetuar i vetëm. Dhe gjithashtu, edhe ky momenti i largimit tim nga klubi i Teutës ka qenë një moment i vështirë, një sakrificë e madhe, por për hir të karrierës time, më duhej të shkëputesha.
– Çfarë synimi ke për të ardhmen?
– Një nga synimet e mia e kam plotësuar tashmë, që jam pjesë e kombëtares A. Tashmë, synimi i radhës është të bëhem pjesë e një prej top katër ligave të Europës.
– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?
– Këshilla kam marrë dhe marr plot, por fatmirësisht kam dikë mjaft të rëndësishëm në jetën time, që më këshillon për çdo gjë që unë bëj dhe ndihem mjaft me fat.