Nga Klaudio Ndreca
Për herë të parë ka luajtur Armando Broja si titullar me ekipin e Viteshes në përballjen ndaj Den Hagës. Sulmuesi shqiptar ka arritur që të realizojë dopietë, ndërsa për t’u veçuar mbetet goli i dytë. Broja është futur bukur në krahë dhe ka vallëzuar me mbrojtësit kundërshtar, duke gjetur cepin e rrjetës të kundërshtarëve.
Por për këdo që e ka parë me vëmendje pozicionin e Brojës në marrjen e topit dukej se ishte shumë përpara mbrojtsave të kundërshtarëve. Megjithatë këto dyshime mund të shuheshin për faktin se VAR ekziston në “Eredivisie”.
Madje edhe vetë lojtarët e Den Hagës do të shihnin nga anësori që nuk e ngriti flamurin, ndërsa nga ana tjetër VAR nuk ndërhyri për të anuluar golin. Ky do të ishte edhe veprimi i drejtë në fakt, teksa shefi i arbitrave Dick Van Egmond tregon edhe një problem të rrallë që e bëri të pamundur ndërhyrjen për t’ia hequr golin e dytë Brojës.
“Kamerat e nevojshme ishin në dipozicion, por nuk na funksionoi programi. Një prapësi teknike të cilën edhe tani unë nuk e shpjegoj dot sesi erdhi. Para ndeshje u informuam disi për një gabim dhe u munduam ta rregullojmë, por mesa duket ishin përpjekje pa rezultat”. /Sport Ekspres/