Deklaratat e Ismet Munishit janë gjithnjë të goditura dhe arrijtë të bëjnë bujë në opinionin publik. Trajneri i mirënjohur shqiptar ka vendosur të reagojë mbi debatet e hapura së fundmi në Kosovë. Mirlind Daku, ish-sulmuesi i Kukësit, po kalon një formë të jashtëzakonshme këtë sezon dhe është hedhur ideja përse nuk ishte i pranishëm me fanellën e dardanëve për të zëvendësuar Vedat Muriqin. Por ka pasur edhe zëra ndryshe që zhvlerësojnë këtë zgjedhje për shkak se e konsiderojnë nivelin e kampionatit të Kosovës të një niveli të ulët.
Kjo duket se nuk i ka pëlqyer Munishit, i cili i bindur për aftësitë e sulmuesit të tij, vjen me një reagim për të mos u humbur, ku shprehet se kjo analizë u takon atyre që kanë luajtur si në Europë ashtu edhe në Kosovë dhe janë të aftë të bëjnë diferencën, jo asaj pjese që kufirin e ka kaluar vetëm për të shkuar në ekskursion.
“Analizën a mund të luajë lojtari nga kampionati i Kosovës në Reprezentacion mund ta bëjnë vetëm ata që kanë luajtur edhe në Kosovë edhe në nivele më të larta jashtë Kosovës. Ata që kanë përvojë ndërkombëtare mund ta ngrejnë një paralele mbi këtë çështje. Nuk mund ta bëjnë këtë analizë laikët e futbollit ose ata që e kanë kaluar kufirin vetëm kur kanë shkuar në ekskursion”, shkruan Ismet Munishi në llogarinë e tij në “Facebook”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/