“Nuk mbaj mend kur kam humbur në Elbasan”, De Biazi shfryn: Munda Francën këtu, Azerbajxhani duhej të fitonte 3-0

Nga Klaudio Ndreca

Pak fati dhe shumë mungesa e aftësive të lojtarëve të Azerbajxhanit përpara portës kundërshtare ndikuan që ndeshja ndaj Qipros të mbyllej në një barazim pa gola. Ky takim u zhvillua në “Elbasan Arena”, në një tokë që i ka sjellë aq shumë sukses edhe karrierës së De Biazit si trajner.

Në fundin e 90 minutave janë ndarë pikët e barabarta mes Kombëtareve, por për këdo që e ka ndjekur këtë takim, dallohej lehtësisht diferenca. Azerbajxhani ka shpërdoruar të paktën tre raste të pastra përpara portierit kundërshtar, pa harruar edhe një penallti të humbur. Gjithçka në perfeksion për të mundur Qipron, por asnjë lojtar nuk dinte sesi topi mund të shtyhej në rrjetë.

Trajneri De Biazi ka shfryrë pas takimit me Qipron duke e konsideruar si dy pikë të humbura. Kur pyetet në lidhje me fatin që do t’i sillte “Elbasan Arena”, trajneri italian kujton se ishte në shtëpinë e tij dhe atje ku kanë rënë Kombëtare në nivelin e Francës.

“Ne ishim shumë të përqendruar te ndeshja. Dëshironim që të fitonim dhe të merrnim tre pikët. Kur unë kam drejtuar Shqipërinë kemi mundur Francën dhe Armeninë në këtë stadium. Ne u kualifikuam në Europianin e Francës. Nuk e mbaj mend se kur e kam humbur ndeshjen e fundit në “Elbasan Arena”. Por këtë herë nuk ndodhi ajo që duhej. Nuk fituam vetëm 1 pikë, por humbëm edhe 2 të tjera. Besoj se një fitore do ta ndihmoj për vetbesimin. Duhet ta kishim fituar pjesën e parë në shifrat 3-0”, u shpreh De Biazi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *