Shqipëria e mbylli në paqe transfertën kundër Kazakistanit. Kuqezinjtë nuk shkuan më larg se një barazim 0-0, pavarësisht se në minutat e fundit të pjesës së dytë nuk munguan as rastet për gol, ku Broja dhe Seferi patën shanset e tyre të arta. Në përfundim të 90 minutave, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, ka analizuar lojën e zhvilluar sot në Almati për “RTSH”, ku nuk mungojnë pakënaqësitë me trajnerin Reja.
“Veseli për mendimin tim nuk është lojtar krahu. Nuk i ka cilësitë e një lojtari krahu. Në dy raste që doli ishte konfuz dhe jo i qartë në pasin e fudnit. Në aspektin mbrojtës mendoj që skaudra nuk pati ndonjë vështirësi të madhe. Për nr 10, zëvendësuesin e Skelës, Kallaku luajti i tërhequr. Trashi mendoj se ka rritur personalitetin e tij në skaudër. Duket se është një lojtar stabël tani. E bën mirë krahun e majtë. Nuk mendoj se kemi alternativë më të mirë për këtë krahë. Për të djathtin duhet menduar një alternativë tjetër.
Këta kundërshtarë janë në nivelin tonë. ne duhet t’i dominojmë si me lojë ashtu edhe me gola. Ne duhet të kishim 3 ndeshje 9 pikë. Nëse dëgjojmë deklaratën e trajnerit të Kazakistanit, atëherë edhe ky Kazakistan ka menduar që mund të fitonte me Shqipërinë. Edhe Broja, që për mua ato raste i krijoi prej aftësisë së tij individuale, u la i vetëm. Nuk dukej i kënaqur me shërbimet. Sot u humbën 2 pikë të rëndësishme. Nuk e shoh një trajner me optimizëm, që bën lëvizje të rëndësishme të ndryshojë kursin e lojës. Edhe si staf nuk kanë energji. Nuk ekziston një kimi. Te De Biasi ishte Tramezani“, ka thënë Rudi Vata./Halit Delibashi-Sport Ekspres/