Nga Klaudio Ndreca
Etrit Berisha (Pa notë): “Të vendosësh një notë do të thotë që të vlerësosh. E të vlerësosh Etritin në transfertën e Kazakistanit mund të bëhet vetëm për mënyrën sesi e këndon himnin kombëtar. Sigurisht që kjo nuk është në interesin kryesor dhe për këtë arsye duhet të kalojmë te lojtarët e tjerë. Ndërkohë Berisha nuk duhet të harrojë përmërisimin me lojën me këmbë. Më shumë siguri!”
Marash Kumbulla (5.5): “Djaloshi i Romës vjen për të bërë debutimin e parë me Kombëtaren. E gjithë vëmendja ishte kthyer tek Marashi, që në momentin e dyluftimeve e tregon saktësisht cilësinë që ka. Kazakistani nuk mund të jetë prova e së vërtetës për të, por ishte hera e parë me kuqezinjtë A dhe shfaq sigurinë. Mbrojtja është e vetmja pjesë që ngushëllon edhe pas rikthimit të Ismajlit. Pak gabime me pasime, i ulin disi vlerësimin Kumbullës”.
Berat Gjimshiti (5.5): “I kundërpërgjigjet sulmuesve të Kazakistanit në të njëjtën monedhë si Kumbulla. Të dy mbrojtësat kanë të njëjtën cilësi dhe mbyllin thuajse çdo aksion të ndërtuar nga kundërshtarët. Ka siguri të madhe dhe bllokon lehtësisht rastet e krijuara nga rivali, për ta bërë detyrën në mënyrën më të mirë”.
Kastriot Dërmaku (5): “Ndahet nga dyshja tjetër e prapavijës. Një vlerësim më i ulët për Kastriotin që hidhet shpesh në aventurë duke harruar vendin që i takon, për ta gjetur veten në sulm. Ndonjëherë i kalueshëm për rivalët dhe i fal mënyrën e vetme sesi mund të na sulmonin. Disa faullë lehtësisht të evitueshëm që tërhiqnin vendasit para zonës së Berishës, duke krijuar një kaos të kot. Me fizikun që e karakterizon dhe eksperiencën mbi shpatulla, Dërmaku duhet t’ia dali më lehtë”.
Frederik Veseli (4): “Edhe kjo notë ngelëse mbetet sërish një vlerësim për Veselin. Të gjithë pyesin se çfarë kërkon Veseli me fanellën e Kombëtares! Si një piketë kalohet nga kundërshtarët, i vetmi që ka dhënë më shumë pasime të gabuara sesa të sakta, sulmet nuk vijnë kurrë nga krahu i tij dhe krosimet që i ka për t’u harruar. Më tepër sesa krosime të menduara dhe për të gjetur sulmuesit tanë në zonën kundërshtare, për Veselin mbetet një mënyrë sesi të heqë topin nga këmbë pa ia marrë të tjerët. Dikush duhet t’i tërheq veshin ose në të kundërt të dorëzojë fanellën.”
Lorenc Trashi (5): “E njëjta histori që rezulton edhe ndaj Kazakistanit. Trashi është një lojtar me vlera të mëdha për Shqipërinë, por jo më i përshtatshmi për skemën e Rejës. Ka siguri të madhe me ndërhyrjet që kryen dhe dëshirë për të marrë krahun, por i mungojnë aftësitë që të driblojë kundërshtarët në shumë raste dhe të jetë i papërmbajtshëm për të futur topin drejt qendrës. Kjo skemë e Rejës i kërkon që të bëjë diçka më tepër që nuk e ka në cilësi, teksa në pjesën sulmuese nuk mund të vlerësohet maksimalisht. Por paraqitja skandaloze e Veselit nga krahu tjetër bënë që paraqitja e Trashit të duket e mrekullueshme”.
Amir Abrashi (5): ”Nuk ishte kjo paraqitja më e mirë për Amirin. Mesfusha ndodhet në një kaos të madh, veçanërisht në pjesën e parë. Reja e kishte nxjerrë disi nga pozita e tij dhe mbetet disi “i justifikueshëm”. Nuk e bën nxjerrjen e topave më të ideuar për të shkuar në aksionet sulmuese. Arma e tij më e fortë, forca, nuk kërkohej shumë në këtë ndeshje. Por mbetet sërish aty për të ndalur hovin e rivalëve”.
Sherif Kallaku (6): ”Shpresa e së ardhmes! Të gjithë kërkonin që të shihnin regjisorin e ri të Kombëtares, por ishim në skenën e gabuar. Kjo jo për faj të Kallakut që edhe në debutimin e tij te Shqipëria dallon më shumë sesa të tjerët. Për topin ka “magnet” te këmbët ku me një lëvizje të vetme i nxjerrë huq të gjithë lojtarët e Kazakistanit. Prodhon thjeshtë kur mundet të prodhojë magji, duhej t’i besonte më shumë aftësive të tij. Mundohet të krijojë aksionet duke qenë një ndër lojtarët e vetëm që e shpërndan topin kudo”.
Keidi Bare (5): “As për Keidi Baren nuk ishte kjo ndeshja më e mirë. Grinta dhe vrapimi nuk i ka munguar kurrë, duke përshkruar fushën me dëshirën për të dominuar kundërshtarin. Por bën shumë gabime në pasime që mund të prodhonin situata të rrezikshme për Kombëtaren. Ndonjëherë del nga pozicioni i tij dhe krijon hapësirë për lojtarët e Kazakistanit”.
Rei Manaj (4): “Fantazma Rei”. Te Barcelona A është stërvitur dhe nga gjigandët spanjoll nuk ka mësuar “abetaren e futbollit”. Armën më të fortë që e zotëron, e kthen për “vetëvrasje” dhe nuk i vjen në ndihmë Kombëtares. Gjithmonë pas një topi të marrë arrin ta kalojë kundërshtarin e parë si të mos jetë fare aty. Pasimi duhet të vijnë menjëherë për shokun e skuadrës, por Manaj vazhdon gjithmonë me topin deri në momentin që do ta humbasi atë. Ky refren përsëritet prej ndeshjesh dhe është në tipologjinë e lojtarit. Tërësisht e gabuar dhe dëmtuese për Kombëtaren tonë që nuk e ka luksin të luajë me zjarrin. Pastaj kordinimi me portën nuk shihet askund, me 0 gjuajtje në portën e Kazakistanit sa i përket Reit. Në pjesën e dytë zhduket tërësisht, si të mos ishte fare në fushën e blertë. E mbushi kupën”
Armando Broja (6.5): “Lojtari më i komentuar në përballjen ndaj Kazakistanit. Më i miri dhe “më i keqi”. Kjo e fundit në kuptimin e figurshëm pasi Broja dalloi më shumë se të gjithë të tjerët. Të paktën rastet e krijuara erdhën prej tij, në të kundërt nuk do të numëronim asnjë goditje në portë. Kërkohet më tepër saktësi në driblime dhe iu afrua golit me parabolën që u largua në metrat e fundit. Për t’u përmirësuar mbetet në luftën në ajër, atje ku thuajse asnjë duel nuk u fituan nga Armando. Me një shtat të lartë fizik, nuk mund të humbas çdo duel me rivalët në ajër. I papërballueshëm kur futet në driblime dhe nuhat portën”.